Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 3 të dënuarve penalisht në Korçë

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Konkretisht OFL i ka dërguar kërkesë ”J. K., banues në Korçë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative, V. B., banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe T. G., banues në Korçë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

“OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë’’, informon Policia e Shtetit. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.