U konfirmua nga KPK/ Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren e Apelit në Gjirokastër, Irena Brahimi

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, Irena Brahimi.

Në një deklaratë zyrtare, Komisioneri Publik, thekson se pasi ka shqyrtuar vendimin e KPK-së, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni për konfirmimin në detyrë të Irena Brahimi, nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues për subjektin e rivlerësimit dhe personat e lidhur me të.

“Komisioneri Publik, duke çmuar se ky vendim, objekt ankimi, shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se çështjet e konstatuara, në vlerësim të akteve të administruara përbëjnë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit. Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme që brenda juridiksionit rivlerësues/kontrollues të Kolegjit, ky i fundit, në shqyrtim të këtij ankimi, të riçelë hetimin gjyqësor, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të identifikimit të burimeve të ligjshme të krijimit të të ardhurave të ligjshme, që kanë shërbyer për krijimin e pasurive mbi të cilat ushtron të drejta subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të”, theksohet në njoftim.

Komisioneri Publik vlerëson të nevojshme rishikimin e analizës financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur me të, për periudhën e deklarimit.

Komisioneri Publik çmon se është i nevojshëm zhvillimi i hetimit në funksion të kontrollit të ligjshmërisë të burimeve financiare, që kanë shërbyer për mbulimin e shpenzimeve të realizuara për periudhën 2014-2016.

Irena Brahimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si gjyqtare e Gjykatës së Gjirokastrës./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.