Teliti: Buxheti 2021, dëshmi e dështimit të hapjes së vendeve të reja të punës dhe zhvillimit

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ “Buxheti 2021 është buxheti i inceneratorëve dhe luksit, dëshmi e dështimit të qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit”.

Kështu deklaroi sot, Dorian Teliti, drejtor i kabinetit të PD-së. Sipas tij “projektbuxheti 2021 i publikuar dy ditë më parë mund të përmblidhet në pak fjalë, klientelizëm, luks, braktisje, dështim dhe paaftësi”.

Teliti veçoi 5 problematikat kryesore të evidentuara në projektbuxhet. “Së pari, qeveria do të gllabërojë të gjithë vlerën e shtuar të ekonomisë me anë të huamarrjes, me anë të borxhit. Vetë qeveria parashikon që Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me 830 milionë euro gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që po vetë qeveria ka planifikuar deficitin 2021 në plot 890 milionë euro. E gjithë rritja ekonomike praktikisht do të konsumohet nga tafmaja qeveritare për shpenzime jo produktive”, tha ai.

Sipas Telitit, “për të kryer sa më shumë tendera, për të kapur çdo qindarkë që ka mbetur ne arkën e shtetit, për të prerë shiritat elektoralë, qeveria për herë të parë në historinë 30-vjeçare, autorizon kryerjen që këtë vit të procedurave të prokurimeve publike të vitit tjetër ende pa u çelur buxheti në janarin e vitit të ardhshëm”.

Ai tha se “ky nuk është buxheti që mbështet biznesin, përkundrazi, rriten me 25 milionë euro detyrimet e tyre për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”.

Po ashtu, Teliti tha se “ky nuk është buxheti i pensionistëve, pasi nuk parashikon rritje reale të pensioneve për mbi 650 mijë pensionistë, e jo më për bonusin e tyre për festat e fundvitit”.

“Nuk është buxheti i familjeve me ndihmë ekonomike, pasi asnjë qindarkë shtesë nuk do të ketë për ta. Nuk është buxheti i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë, të harruar tashmë nga qeveria e premtimeve boshe, e cila për vitin e ardhshëm do të financojë vetëm 8 milionë euro, tre herë më pak sesa viti 2013. Ky nuk është buxheti i njerëzve të thjeshtë, i të papunëve, i sipërmarrësve shqiptarë, por është buxheti i oligarkëve të PPP-ve dhe qeveritarëve të shpenzimeve luksoze”, tha ai. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.