Pandemia/ Diskutohet garancia e tretë financiare, e fokusuar kryesisht te eksportuesit në vështirësi likuiditeti

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Një tjetër garanci financiare pritet të lëshohet nga qeveria shqiptare, këtë herë e targetuar për eksportuesit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot po diskutojmë për një garanci të tretë financiare, e cila ndryshe nga dy të parat që u orientuan te ndihma universale, kjo do të jetë e targetuar, kryesisht tek eksportuesit që po hasin vështirësi me likuiditetin.

Gjatë një interviste në medie, Denaj bëri të ditur se kemi monitoruar situatën për të kuptuar se për çfarë ka nevojë biznesi pas kalimit të emergjencës.

“Në diagnozën paraprake rezulton se bizneset që kanë lidhje dhe marrëdhënie me eksportin e mallrave kanë nevojë për likuiditet. Këta mund të përfitojnë edhe nga garancia e dytë financiare, por ne vëmë re se bankat janë të ngurta dhe për këtë segment të biznesit çështja kohë vlen shumë, ndaj ne po shikojmë që t’i mbështesim në kohë më të shpejtë eksportuesit me kapital qarkullues”, u shpreh ministrja.

Sipas Denajt, edhe ky instrument do të kalojë përmes bankave për të mundësuar çështjen e likuiditetit.

Ministrja bëri të ditur se kishte firmosur sot edhe shtyrjen e afatit të aplikimit për bizneset për të përfituar nga garancia e dytë sovrane, e cila ka në fokus ndihmën e biznesit me fonde për kapital qarkullues.

Sipas saj, janë 575 biznese që kanë aplikuar për të përfituar nga garania e dytë financiare dhe bankat janë në fazën e analizës. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.