Miratohet marrëveshja për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19”.

Të pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit ishte zëvendësministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla dhe sekretarja e përgjithshme e ministrisë, Geraldina Prodani.

Zëvendësministri Nikolla u shpreh se, kjo nismë shkon në të njëjtën linjë me përpjekjet dhe menaxhimin e situatës së pandemisë nga qeveria shqiptare.

Ai shtoi se në kontekst të gjerë shkon paralel me hapat e Komisionit Europian për sigurinë dhe hapat e vendeve të tjera të Europës, duke ruajtur hapat dhe ecurinë sipas kritereve shkencore dhe jo ato ideologjike.

Prodani u shpreh se iniciativa është e OBSH-së dhe e vendeve të BE-së, për t’iu përgjigjur bashkërisht situatës.

“Covax nënkupton mbledhjen e të gjithë shkencëtarëve, vendeve, kompanive dhe bizneseve për të siguruar vaksinën antiCovid, përballë kërkesës globale në 2 miliardë doza”, – sqaroi sekretarja e përgjithshme e ministrisë.

Gjithashtu ajo shtoi se falë pjesëmarrjes, procedurat e tenderimit do të bëhen nga vetë instrumenti “Covax”, e se në fund të dhjetorit pritshmëritë janë që do të ketë një vaksinë, e që me anë të këtij instrumenti ne do ta sigurojmë në kohë atë. Dakordësinë për projektligjit e dha edhe relatorja e komisionit, Elona Gjebrea.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e zhvilluar online përmes platformës “Cisco Webex” për shkak të masave antiCovid, komisioni e miratoi projektligjin. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.