Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend dhe çon në Venecia ndryshimet në Kodin Zgjedhor

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Kodin Zgjedhor”.

Presidenti shprehet se ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit, si një mundësi e fundit që “mazhoranca qeverisëse e Partisë Socialiste, të reflektojë e të tërhiqet nga sjellja dhe veprimet antidemokratike që mund të favorizojnë Partinë Socialiste në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021, por që do të dëmtojnë rëndë Shqipërinë, qytetarët e saj dhe të ardhmen europiane të tyre”.

Meta tha se “Kuvendi nuk ka legjitimitet për të realizuar reforma kushtetuese dhe aq më pak të ndryshimit të sistemit zgjedhor apo rregullave zgjedhore, pa konsensusin gjithëpërfshirës të opozitës reale që sot ndodhet jashtë Kuvendit të Shqipërisë”.

“Në mungesë të funksionimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, asnjë pretendim qoftë dhe për këtë ligj ndryshues të Kodit Zgjedhor, nuk mund të shqyrtohet për të marrë një përgjigje përfundimtare”, tha ai.

Meta shprehet se “me njëanshmërinë e realizimit të këtyre ndryshimeve, tashmë është e qartë dhe të gjithë e kanë kuptuar se qëllimi është, ndër të tjera, dhe nxjerrja nga skena e disa forcave politike si nga e majta apo e djathta, të cilat ndër vite kanë një numër stabël votuesish dhe mbështetësish që përmes koalicioneve parazgjedhore kanë mundur të përfaqësohen në Kuvend, me mandat parlamentar”.

“Me rritjen e pragut elektoral dhe vështirësitë e krijuara me këtë ligj për bashkim në koalicione parazgjedhore me listë unike konkurrimi, kryetarët e këtyre partive tashmë do të jenë të detyruar që të negociojnë me forcat kryesore politike për të përfshirë kandidatët e tyre brenda listës së një subjekti zgjedhor, duke sjellë kështu rrezikun e asfikisimit të këtyre forcave politike dhe nivelit të përfaqësimit të tyre në Kuvend, pavarësisht votave që ata mund të marrin në nivel rajonal”, tha Presidenti.

Sipas tij, “këto ndryshime do të fshehin partitë politike pas siglës së një koalicioni dhe do t’i
pamundësojnë zgjedhësve të zgjedhin partinë e koalicionit që duan si dhe të jenë zgjedhësit ata që përcaktojnë drejtpërdrejtë, me votë, fuqinë elektorale të secilës parti”.

“Pasoja e këtij ndryshimi do të jetë reduktimi i pluralizmit politik parlamentar.
Nëse këto ndryshime do të ishin të konsultuara dhe dakordësuara nga forcat politike në Shqipëri, apo do t’i nënshtroheshin vullnetit të sovranit përmes referendumit, mund të ishin të pranueshme”, tha Presidenti.

“Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, tha Meta.

Ndër argumentet e renditura nga Presidenti janë:

  • Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;
  •  Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;
  •  Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;
  • Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standardet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;
  • Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rëndë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;
  • Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;
  • Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit;
  • Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor cenojnë frymën dhe themelin e dakordësisë së arritur në vend përmes Marrëveshjeve të forcave politike të datës 14 Janar dhe 5 Qershor 2020, të cilat kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri;
  • Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor përpiqen të krijojnë një ambient elektoral rregullash që favorizojnë maxhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të ndikojnë në leximin real, të qartë dhe objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor;
  • Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, krijojnë rrezik që procesi para-elektoral, ai i fushatës elektorale, i votimit, numërimit, dhe ai ankimor deri në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike, antagoniste, të mungesës së besimit ndërmjet palëve, që rrjedhimisht mund të sjellin si pasojë cenimin e standardeve zgjedhore, prishjen e paqes sociale dhe mundësinë e rritjes së tensionit në jetën shoqërore në vend;
  • Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, janë realizuar ndërkohë që Presidenti i Republikës që prej datës 6 shtator 2020 me Dekretin nr. 11700, ka caktuar datën e zgjedhjeve për Kuvendin, ditë e diel, datë 25 prill 2021, duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratike;
  • Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe bien ndesh me jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;
  • Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës.  /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.