Ligji i Sponsorizimeve/ Denaj: Propozimi i tretë, rritje investimeve në sport

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ardhur me një propozim shtesë në kuadër të ligjit të Sponsorizimeve, që synon t’i japë një zgjidhje permanente çështjes së ngritur nga Liga për sponsorizimet dhe të nxisë investimet në sport.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në një lidhje live gjatë një emisioni televiziv u shpreh se, “më herët jemi takuar me përfaqësuesit e Ligës për të diskutuar disa nga pikat që kanë parashtruar për zgjidhje. Ministria e Financave ka ardhur me një propozim shtesë në kuadër të ligjit të Sponsorizimeve dhe shpresojmë që diskutimi të vijojë edhe për një zgjidhje permanente”.

Denaj shprehu besimin se sot mund të flasim edhe për një dialog dhe zgjidhjen e çështjes  do ta shohim në ditët në vijim.

“Nga pala e Ministrisë përfaqësuesit kanë qenë gjithë një të hapur për dialog dhe jam e kënaqur që jemi ulur dhe të flasim, sepse nuk mund të flasim në distancë ndërkohë që unë edhe më herët në daljet publike e kam adresuar këtë çështje, pse ne nuk mund të pranojmë pikën e parë të tyre, në raport me tatimfitimin që një pjesë e konsiderueshme e përshtatin në formatin që ata thonë”, – tha Denaj.

Denaj theksoi se, “në lidhje me sponsorizonim përtej dy ndryshimeve që i janë bërë këtij ligji më herët propozojmë edhe një ndryshim të tretë që shkon për të rritur investimet dhe financimet në sport. Pra ne i qëndrojmë kësaj linje duke shtuar një element të tretë për ta pasuruar dhe në një nxitje më të madhe sektorit”.

Ndërsa në lidhje me disa element shtesë që kanë të bëjnë me TVSH-në, Denaj tha se, “i përmbahemi direktivës së BE-së dhe nuk mund të lëvizim jashtë saj. Megjithatë me palën tjetër kuptuam që kishim mirëkuptimin e tyre dhe ishin të kënaqur me atë që ofruam”.

Denaj shpjegoi se çështja e gjobave është një çështje më e gjerë sesa vetëm tek sporti.

“Është një ndryshim ligjor që do të kërkojë një qasje për të gjitha gjobat dhe kjo sigurisht do të kërkojë më tepër kohë dhe nuk mund të shikohet e shkëputur nga totaliteti i problemit, pra nuk lidhet me Ligën”, – tha ajo.

Sipas saj, “çështja kryesore nuk lidhet në raport me fondin e projektuar që do të duhet të incentivohet financimi në sport. Mënyra është ajo që ne ndahemi. Ne i qëndrojmë metodologjisë që bizneset të cilat kanë interes të sponsorizojnë të ndjekin linjën e sponsorizimit dhe elementët e qartë të tij, që po përmirësohen edhe me këtë alternativë të tretë për të nxitur investimet”.

Ndërsa Liga, vijoi Denaj, ka kërkuar edhe më herët që një pjesë të shkëputet automatikisht nga tatimi mbi fitimin dhe të kalojë për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. “Ne mendojmë se ligji i Sponsorizimeve është një rrugëtim më i qëndrueshëm, më i saktë dhe më transparent. I qëndrojmë këtij mendimi”, përfundoi Denaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.