Kur rregullat antiCovid-19 nuk i respekton ministri i… Shëndetësisë!

PRAGË, 23 tetor /ATSH-AFP/ – Ministri çek i Shëndetësisë u gjend sot përballë kritikave pasi ishte fotografuar duke dalë nga një restorant që duhej të ishte mbyllur në kuadër të kufizimeve anti-COVID-19 të vendosura nga administrata e tij.

 

”Në këtë post që prej shtatorit, Roman Prymula ka injoruar gjithashtu detyrimin për mbajtjen e maskës gjatë qëndrimit në automjetin e tij”, njoftoi e përditshmja “Blesk”.

Sjellja e tij i ka vlejtur një lumë kritikash në rrjetet sociale nga ana e opozitës madje edhe brenda qeverisë së koalicionit.

“Rregullat duhet të jenë të vlefshme për të gjithë, pa përjashtim dhe ai nuk mund të qëndrojë më si ministër i Shëndetësisë”, reagoi ministri i Brendshëm, Jan Hamacek, i cili drejton komitetin e krizës qeveritare mbi pandeminë, në një komunikatë të cituar nga agjencia e lajmeve CTK.

Epidemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar 1 845 të vdekur për 223 000 raste që prej marsit, duke e bërë Republikën Çeke vendin më të prekur të Bashkimit Europian në raport me popullsinë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.