Kthimi në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor/ Meta: Mundësi mazhorancës të reflektojë, do mbajë përgjegjësi

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se arsyeja e kthimit për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Kodin Zgjedhor” ishte “reagimi i menjëhershëm i Partisë Popullore Europiane pasi Kuvendi votoi në mënëyrë të njëanshme këto ndryshime dhe thirrja e tyre drejtuar Presidentit për ta kthyer në Kuvend përsëri këtë akt me qëllim rikthimin e aktit në shinat e marrëveshjes së 5 qershorit”.

Në një prononcim për mediet nga Korça, Presidenti Meta theksoi se se “kjo ishte arsyeja kryesore për t’i dhënë një mundësi tjetër mazhorancës të reflektojë, të respektojë këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse përndryshe do të mbajë një përgjegjësi tepër kritike jo vetëm për këtë precedent të rrezikshëm në tre dekada të ndryshimit të rregullave të lojës në mënyrë tërësisht të njëanshme, por ajo që është më e rëndësishmja për vonesat pa fund të procesit të çeljes së negociatave. Shpresoj që ata të lexojnë, të thellohen, të reflektojnë”, – tha Meta.

“Respektimi kësaj marrëveshjeje ka qenë dhe është një kusht i padiskutueshëm i Bashkimit Europian, përveç disa kushteve të tjera, të cilat përsëri kanë të bëjnë me hetimin e zgjedhjeve të kaluara , apo me cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme”, – tha Meta.

Më tej Meta u shpreh se “Presidenti është shumë i qetë për arsye sepse është me një gjatësi vale me të gjithë popullin shqiptar. I gjithë populli shqiptar pavarësisht preferencave partiake apo politike, apo edhe populli që është pa parti i mërzitur me dhe nga lojërat e tyre kërkon t’i jepet fund kësaj krize artificiale, kësaj mungese skandaloze të legjitimitetit të të gjitha institucioneve dhe në radhë të parë të vetë Kuvendit të Shqipërisë, i cili kurrë në historinë e këtij vendi nuk ka qenë në këtë situatë e gjendje jokushtetuese”.

“Populli kërkon paqe, qetësi dhe integrim europian. Këto nuk arrihen pa pasur një reflektim, po flasim në një plan afatshkurtër, nga parlamenti aktual për këtë ftesë dhe kërkesë per reflektim”, – tha Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se “do të ishte bërë një kthim më i shpejtë, por e ka motivuar në mënyrë të qartë është bërë një punim shkencor nga ekspertë të Presidentit, por edhe ndërkombëtarë për të gjitha standardet që shkel. Ky vendim i njëanshëm që ka marrë Kuvendi i Shqipërisë që ka të bëjë me standardet e OSBE-ODIHR, me praktikat e mira të Komisionit të Venecias, që kanë të bëjnë me standardet e Këshillit të Europës dhe me gjithçka tjetër dhe me vetë Kushtetutën”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.