Komisioni i vlerësimit në PD përfundon përzgjedhjen/ Lista me 326 kandidatë iu dorëzua Bashës

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Komisioni i vlerësimit të Kandidatëve pranë PD-së përmbylli dje procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore.

“Ky proces, i zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, është vlerësuar pozitivisht nga anëtarësia e PD-së, opinioni publik dhe mediat. Komisioni e vlerëson procesin në tërësi si një akt emancipues në politikën shqiptare”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Komisioni e ndau punën në 3 faza, nga 3 gushti deri në 22 tetor. “Pas një pune intensive dhe voluminoze komisioni përfundoi vlerësimin për 3593 kandidatë të propozuar, në një listë përfundimtare prej 326 kandidatësh të propozuar për përfaqësim politik në zgjedhjet e ardhshme politike apo lokale”, thuhet në këtë deklaratë.

Komisioni, i dorëzoi sot Kryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, listën përfundimtare të kandidatëve për ndjekjen e procedurave të mëtejshme sipas Statutit.

“Përfitojmë nga rasti për të falënderuar anëtarësinë për pjesëmarrjen masive në votime, strukturën e PD-së, përfaqësuar në këtë proces përzgjedhjeje nga Sekretariati teknik, si dhe kandidatët e propozuar që ndihmuan realizmin e këtij procesi transparent, qytetar dhe të përgjegjshëm”, përfundon deklarata./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.