Kodi i ri Zgjedhor/ Balla: Më shumë fuqi popullit, vonesat nga një president hileqar

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi sot lidhur me kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Kodin Zgjedhor” duke theksuar se “më vjen keq që Presidenti mori të gjithë kohën e mundshme për të vonuar procedurat parlamentare, por s’kemi asnjë ditë për të humbur”.

Në një prononcim për mediet nga Elbasani, Balla theksoi se “Kodi Zgjedhor ka transformuar tërësisht qasjan dhe i ka dhënë më shumë fuqi popullit, jo vetëm për të zgjedhur partinë politike, por edhe kandidatin që dëshiron”.

“Çdo lloj vonese, e shkaktuar për shkak të një presidenti mistrec dhe hileqar, unë besoj që ne kemi të gjitha mundësitë të vijojmë punën sensibilizuese dhe shpjeguese ndaj qytetarëve”, – nënvizoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar u shpreh se “këtu një rol të rëndësishëm merr KQZ në formulën e re komisioneri, enti apo këshilli i ankesave. Por këtu është një moment shumë i rëndësishëm t’u shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se Reforma Zgjedhore e cila mori shumë kohë, gati 3 vite, është një sukses i cili ka garantuar, që zgjedhjet e 25 prillit, padyshim janë të lira dhe demokratike, por pas shumë viteve qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të kenë dy vota meqënëse ky është edhe simboli që Presidenti i Republikës po përpiqet t’ia vjedhë Partisë Demokratike”. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.