HELSINKI – Danimarka vendos kufizime më të rrepta për frenimin e virusit

HELSINKI, 23 tetor /ATSH-DPA/ – Qeveria daneze njoftoi sot ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike gjatë natës dhe reduktoi më tej kufirin për tubimet publike, me qëllim frenimin e rritjes së ndjeshme të rasteve të COVID-19.

“COVID-19 nuk ka mbaruar, përkundrazi, ai është sërish i fuqishëm”, tha kryeministrja Mette Frederiksen.

“Shitja e alkoolit, nga e hëna, do të ndalohet pas orës 22:00, në përputhje me orët e mbylljes të vendosura më parë për restorantet e baret dhe kufiri aktual i 50 personave të lejuar për tubimet private dhe publike është ulur në 10”, shtoi ajo.

Masa do të jetë në fuqi deri më 2 janar.

Frederiksen u bëri, gjithashtu, thirrje banorëve që të mos jenë në kontakt të ngushtë me më shumë se 10 persona të tjerë jashtë familjes së tyre, si pjesë e masave për të kufizuar transmetimin e virusit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.