“Deputeti që duam”/ Aplikimi online ka mundësuar maksimalizimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë

TIRANË, 23 tetor /ATSH/- Arben Pëllumbi, sekretar organizativ i Partisë Socialiste mbi platformën “Deputeti që duam” tha se, “në këtë platformë do të aplikojnë anëtarë të PS dhe simpatizantë tanët, por portali është i hapur dhe mund të aplikojë kush do. Mënyra e aplikimit është plotësimi i një formulari, një CV dhe 3 minuta video në të cilin duhet të shprehësh arsyet sepse mendon se mund të jesh pjesë e grupit parlamentar”.

“Besoj se kjo është një risi dhe një modernizimin i pjesës që ne dëshirojmë në formimin e grupit të ri parlamentar,  e kemi filluar herët këtë proces sepse kemi një eksperiencë nga ligji i dekriminalizimit, që duhet sa më shpejt t’i përmbyllim listat e deputetëve që t’i çojmë ato në organet përkatëse siç edhe kemi premtuar për t’ju dhënë kohë atyre për t’i verifikuar listat e të gjitha kandidatëve për deputete”- tha Pëllumbi .

Sipas tij, pjesa e parë e votimit që është për grupin aktual parlamentar, pra vlerësimi për deputetët aktual po bëhet nga anëtarësia e PS-së.

“Ne kemi bërë një kontratë me Postën Shqiptare dhe çdo anëtari i PS i mbërrin në dorë një zarf i mbyllur me kredencialet e tij me të cilin ai hyn në platformën e PS-së dhe jep mendimin për grupin e deputetëve të qarkut të tij, duke i vlerësuar nga 1 deri në 5 ku 1 është shumë keq dhe 5 shumë mirë. Për këtë proces jemi gati në 80% të shpërndarjes së zarfeve në të gjithë territorin dhe gati 15-20% kanë aplikuar në platformë. Ky afat votimi ka afat deri më 25 nëntor 2020 dhe besoj se deri në këtë datë do të kemi marrë mendimin e pjesës më të madhe të deputetëve për listat”- theksoi Pëllumbi.

Pëllumbi shtoi se, “është hapur platforma për ata që dëshirojnë të aplikojnë për të qenë pjesë e grupit të ri parlamentar dhe me kënaqësi vë re se kemi një numër të konsiderueshëm njerëzish që kanë aplikuar. Videon që ata aplodojnë në platformë, flasin se cila është arsyeja që mendojnë të jenë pjesë e kandidatë të grupit parlament të PS dhe çfarë i shtyn ata që të hyjnë në këtë konkurrencë me të tjetër”.

Pëllumbi tha se, “partitë mund ta kenë pasur nevojë për ta bërë këtë mënyrë aplikimi. por sot teknologji na mundëson ta realizojmë këtë proces, duke na shkurtuar kohë që të mbledhim mendimin e anëtarësisë dhe kjo na krijon marrjen e mendimit të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me anëtarët e grupit parlamentar për punën e gjithë secilit dhe është një vlerë e shtuar për zgjedhjen e ardhshme”.

“Ne jemi nga partitë e vetme në Europë që kemi një platformë të tillë që na lejon që të bëjmë këtë proces online pa shqetësuar dhe pa i marrë kohë të gjithë atyre që duan të duan të japin mendimin e tyre për grupin parlamentar apo që duan të aplikojnë. Pjesa e online ka të bëjë me dy gjëra: e para me modernizmin dhe e dyta me me faktin që në kushtet e Covid e bën të nevojshme që ti të kesh mundësi të komunikosh”- tha ai.

Pëllumbi theksoi se, “sa i përket përballjes, Partia Socialiste është forca më e  madhe dhe nuk i është shmangur kurrë jo takimeve me strukturat tona por edhe takimeve me cilin do që ka dashur ti vihet përballë nesh. Kjo platformë përveç grupit aktual dhe atyre që aplikojnë për tu bërë pjesë e grupit të parlamentar kemi dhe një pjesë tjetër që kërkojnë mendim të anëtarësisë së PS në lidhje me ministrat e qeverisës tonë, dhe ky është një proces që ka filluar dhe po ecën”.

Ai tha se, kryetari i PS por edhe të gjithë kryetarët e partive që garojnë sigurisht që janë shtylla e të gjitha fushatave që zhvillojnë forcat politike dhe ne nuk bëjmë përjashtim. PS do ta ketë gati programin politik po është pak herët për të kaluar në këtë pikë.

Pëllumbi vlerësoi se dy forcat politike kanë filluar një proces për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet dhe besoj se i joni është më modern. Por e rëndësishme që kemi një proces shumë më herët se kohët tjera që na krijon mundësi të çojmë listat në organet përkatëse për ti verifikuar. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.