COVID-19 – Morawiecki: E gjithë Polonia konsiderohet ”zonë e kuqe”

VARSHAVË, 23 tetor /ATSH-PAP/ – Kryeministri polak njoftoi sot se i gjithë vendi do  të kalonte në zonë të kuqe, me mbylljen e pjesshme të shkollave fillore dhe restoranteve, përballë një rritjeje rekord të kontaminimeve me COVID-19.

Këto 24 orët e fundit, vendi me 38 milionë banorë ka regjistruar 13 632 raste të reja me COVID-19, një rekord.

“I gjithë vendi do t’i nënshtrohet kufizimeve kundër koronavirusit duke u konsideruar ”zonë e kuqe” duke nisur nga e shtuna, deklaroi kryeministri Mateusz Morawiecki në një konferencë shtypi duke njoftuar kthimin e masave të reja në përpjekje për të frenuar epideminë e koronavirusit.

Kufizimet e reja përfshijnë limitimin e aktivitetit të restoranteve vetëm me shërbim shpërndarje dhe ndalimin e grumbullimeve me më shumë se pesë persona.

Fëmijët do të lejohen të dalin nga shtëpitë gjatë ditës nga ora 08:00 deri në orën 16:00 vetëm në shoqërinë e një të rrituri.

Klasat e larta të shkollave fillore do të kalojnë në mësimin në internet.

Për personat të moshës 70 vjeç e lart rekomandohet të qëndrojnë më shumë në shtëpi.

“Nëse kufizimet e reja nuk do të funksionojnë, një mbyllje më e rëndë do të jetë e mundur duke përfshirë këtu mbylljen e kufijve dhe kufizimin e lëvizjeve”, deklaroi Morawiecki./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.