“Basha e ka të sigurt humbjen”/ Kulluri: Në zgjedhjet e 2021, koalicion i djathtë me disa aleatë të PD

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri deklaroi sot se, një pjesë e rëndësishme e aleatëve të PD janë duke shqyrtuar mundësinë për të dalë në një koalicion të djathtë në këto zgjedhje.

Në një intervistë televizive ai tha se, “një pjesë e rëndësishme e aleatëve janë duke shqyrtuar bashkë me ne mundësinë për të dalë në një koalicion të djathtë në këto zgjedhje”. “Besoj që gjasat janë të mira që në pak kohë mund të kemi një formulë të re koalicioni opozitar që të tërheqë drejt kutive të votimit ato 200-300 mijë vota që nuk i merr sot PD dhe nuk ka për t’i marrë dot PD për sa kohë ka këtë lidership dhe këtë sjellje politike”, theksoi Kulluri.

Pyetjes së gazetarit se “kur thoni bashkë me ne, kush jeni ju?”, Kulluri u përgjigj: “ne që jemi njerëz kritikë, publikë”, duke shtuar se “po punohet në drejtim të formacionit të ri politik”.

Se kur mund të krijohet, ai tha se, “besoj se është çështje javësh. Brenda këtij viti do të jetë. Më shpejt sesa fundi i vitit”. “Propozimi që ka gjetur përkrahje mes kritikëve brenda Partisë, për shkak dhe të sistemit zgjedhor, pasi duhet të kalohet një prag i caktuar dhe rrethanave që janë krijuar, duhet të ketë një koalicion të përbashkët për të dalë në zgjedhje, për të marrë ato vota të domosdoshme që mund të rrëzojnë këtë mazhorancë”.

I pyetur nëse do të jetë një subjekt politik, me kryesi, me kryetarë, Kulluri tha se, “jo nuk besoj, do të jetë një listë elektorale, ku mund të ketë disa subjekte. Kush merr më shumë vota del në parlament”.

Ai tha se, “kemi negociata prej kohësh edhe me një pjesë të aleatëve të PD prej kohësh”. “Edhe disa eksponentë të PD, jo z. Basha, e kanë pranuar që kjo mund të jetë një formulë e mirë për të shkuar drejt një fitoreje të një fronti opozitar që përfshin brenda edhe PD”, tha Kulluri.

I pyetur se si mund të diferencohet Basha pasi ai ka edhe kuotat e veta në parti, Kulluri tha se “nëse do jetë e domosdoshme të bëhet kryeministër pa këtë koalicion le të bëhet. Dhe pa LSI”.

Kulluri tha se Basha e ka të sigurt humbjen në 2021, por sërish ai nuk ka për të ikur nga PD.

“Nëse Basha nuk ikën pas humbje së sigurt të 2021, ne do themi që testi i vërtetë është ai i 2025? E pastaj ai i 2031, dhe ai i 2037. Kjo nuk diskutohet që nuk ka për të ikur. Basha nuk mendon si ne, as si ju që jeni gazetarë, as si militantët e partisë , as si votuesit gri. Basha ka vetëm një problem, ka një axhendë, të qëndrojë në krye të PD, të mbajë z. Rama në pushtet si vëllain e tij, të marrë pjesën e vetë të aferave dhe kështu ka ecur 7 vjet kjo opozitë”.

“Lidhjet e biznesit të z. Basha me të ashtëquajtur ‘oligarkë’ që përfitojnë punët e qeverisë në mënyrë abuzive i kemi denoncuar me kohë, me emra me fakte, me kontrata. Unë, zonja Topalli, media të djathta kritike dhe mediave të majta bilese fatkeqësisht”, tha ai.

“Nëse nuk do të ketë faktorë të tjerë politikë ne do të shkojmë drejt mandatit të tretë të Ramës. Këto janë shifrat, këto janë sondazhet, kjo është sjellja, këto janë precedentët”, tha ai.

“Kujt i duhet më PD-ja nëse humb për herë të tretë. Një nga anëtarët e komisionit të përzgjedhjes së kandidaturave, kur ne kemi qenë në detyrë dhe kemi ruajtur pozicionin tonë politik, ka qenë një nga njerëzit më aktiv në 21 janar për dorëheqjen e Sali Berishës dhe qeverisë. Është z. Mustafaj. Tani, unë nuk e di se ç’më lidh me këtë zotërinë mua nga pikëpamja e moralit politik po flas, përveç mosaktivizimit për vite me radhë dhe arsye të tjera edhe për anëtarët e tjerë të komisionit”, tha ai, duke shtuar se “Lulzim Bashës i interesonte qëndrimi në krye të partisë dhe nuk i interesojnë qytetarët”.

“Kur ti merr njerëz nga rruga dhe i fut në listë në 2017 dhe sot i hedh prapë në rrugë, ky nivel dinjiteti je, nga pikëpamja politike flas, jo si qytetar. Ti po e bën më keq gabimin, sepse nuk na thotë se përse po heq këta. Lulzimi nuk është karrerist. Këta të tjerët janë të panevojshëm. Deri dje i përplaste me policinë, te Astiri, në zgjedhjet në Dibër, para kryeministrisë, me Molotov me djegie dhe këta ishin opozita, ne ishim bashkëpunëtorë të pushtetit. Tani opozitën e hodhi në rrugë, kush janë bashkëpunëtorët e pushtetit? I vetmi bashkëpunëtor i pushtetit në opozitë është Lulzim Basha”, tha Kulluri. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.