Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 5 shtetasve të dënuar ose nën hetim penal

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit (OFL) i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 5 shtetasve.
Konkretisht OFL i ka dërguar kërkesë G. H., banues në Shkodër, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, E. J., banues në Bulqizë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim, I. T., banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Vrasja me paramendim”, M. Z., banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe H. S., banues në Durrës, nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.