Tetori rozë/ Vajzat e futbollit mesazhe sensibilizuese kundër kancerit të gjirit

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Në kuadër të Ditës Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi dje një ndeshje miqësore mes skuadrave të kryeqytetit për femra, KF Tirana – FK Partizani.

Ndeshja simbolike që u luajt në ambientet e Kompleksit “Fari” dhe zgjati 30 minuta përfundoi me fitoren e ekipit të Tiranës.

Në fillim të ndeshjes, dy kapitenet e skuadrave dhanë nga një mesazh për të gjitha femrat. Kapitenia e ekipit të Partizanit u shpreh se “Shoqëria ka nevojë për ne. Duhet ta nisim nga vetja dhe duhet t’u themi mikeshave tona, motrave, kushërirave dhe mbi të gjitha, nënave tona, që i kemi aq të shtrenjta, se një vizitë te mjeku për një mamografi për të parandaluar kancerin e gjirit është e domosdoshme që e nesërmja jonë të jetë e qeshur dhe e ardhmja jonë të jetë më e shëndetshme se sot. Jo vetëm tetori rozë, por të gjithë muajt duhet të jenë rozë”.

Kapitenia e ekipit të Tiranës theksoi se, “shëndeti për çdo vajzë, grua dhe nënë është i rëndësishëm për një shoqëri të shëndetshme. I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë diagnostikimin e parakohshëm për të parandaluar këtë sëmundje”.

Në fund të ndeshjes, futbollistja e ekipit të Tiranës, Klea Kordalli, i bëri thirrje të gjitha femrave që të diagnostikohen në kohë. “Unë si futbolliste që jam kujdesem shumë për veten time . Kam një mesazh për të gjitha gratë dhe nënat: Të diagnostikohen në kohë për kancerin e gjirit sepse duke e kontrolluar veten në kohë ne mund të shmangim rrezikun”.

Ndërsa futbollistja e Partizanit, Bleona Koka, u shpreh se, “muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit për të gjitha gratë dhe vajzat. Një kontroll sot, shmang një rrezik nesër”.

Trajneria e ekipit të Partizanit, në fjalën e saj, theksoi se, “është shumë e rëndësishme që në këtë ditë të veçantë, të gjitha ne femrat që jemi duke u marrë me sport dhe me futboll, të bëjmë një thirrje dhe një ftesë për të gjithë nënat, mamatë, femrat. Të luftojmë me kohën dhe të parandalojmë të gjitha problemet që mund të kemi nesër. Është shumë i rëndësishëm parandalimi më shumë sesa mjekimi”.

Edhe Federata Shqiptare e Futbollit i bën thirrje të gjithë femrave që të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar kancerin e gjirit i uron të gjithë femrave të prekura nga kjo sëmundje betejë sa më të lehtë dhe shërim të shpejtë! /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.