Tabaku: Projektbuxheti 2021 mashtrim elektoral, synon fshehjen e gjendjes reale të financave

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e cilësoi sot projektbuxhetin e vitit 2021 si, “mashtrim elektoral dhe një përpjekje për të vjedhur deri në minutën e fundit në largim”.

Sipas saj, “vendi është në rënie ekonomike prej 6,1%. Por sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kjo shkon deri në 9%. Konsumi i qytetarëve është me rënie me 7.5 %. Ndërkohë që investimet totale në vend kanë rënë me 13% duke treguar ngërçin e madh që ka ekonomia shqiptare”.

“Buxheti nuk ofron as më shumë investime në infrastrukturë, as më shumë buxhet në arsim, as më shumë investime në arsim dhe as më shumë investime në bujqësi. Ky është një buxhet mashtrimi që synon që të fshehë gjendjen e mjerueshme reale në të cilën ndodhen financat publike”, u shpreh Tabaku.

Tabaku theksoi se ka vetëm një tregues i cili është në rritje dhe ai është borxhi që ka arritur në shifrën rekord të 97%. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.