Shqipëria, dëshmia më krenare e mbrojtjes së hebrenjve dhe luftës kundër diskriminimit

TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se “Shqipëria është dëshmia më krenare e mbrojtjes së hebrenjve dhe luftës kundër diskriminimit, shfarosjes, fashizmit dhe nazizmit në Europë”.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektrezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, Spiropali u ndal te mbrojtja që i ka bërë vendi ynë hebrenjve.

Spiropali tha se “Shqipëria ka qenë vendi i vetëm që refuzoi të miratonte ligje antihebraike”.

“Edhe qeveritë kolaboracioniste nuk bashkëpunuan me autoritetet gjermane për dorëzimin e hebrenjve. Populli shqiptar dhe autoritet shqiptare refuzuan t’u bindeshin kërkesave për dorëzimin e hebrenjve”, tha Spiropali.

Ajo u shpreh se “pothuajse në çdo qytet shqiptar mund të gjesh gjurmë të mbrojtjes së hebrenjve”.

“Vlerësoj se kjo rezolutë do të shërbejë si hap i mëtejshëm për ta kujtuar historinë e hebrenjve këtu, por edhe për të qenë krenarë për popullin shqiptar”, tha Spiropali, ndërsa ftoi deputetët ta votojnë këtë projektrezolutë.

Spiropali tha se në Shqipëri janë shpëtuar 3164 hebrenj. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore janë shpëtuar 2200 hebrenj. Këtij numri i shtohen edhe familje të paregjistruara. Numri i hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri arrin në 3164 vetë”, tha ajo./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.