Shërbimi psiko-social/ Kushi: Dyfishimi i punonjësve fuqizon përballimin e sfidave në arsim

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Punonjës të shërbimit psiko-social janë takuar me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ku kanë bashkëbiseduar në lidhje me shqetësimet, sfidat dhe përgjegjësitë e shtuara në këtë kohë pandemie.

“Dyfishimi këtë vit shkollor i numrit të punonjësve të shërbimit psiko-social është një hap i rëndësishëm në fuqizimin e mëtejshëm dhe përballimin e sfidave të shkollave, mësuesve, nxënësve dhe komunitetit të prindërve”, shprehet Kushi.

Në këtë takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë punonjës të ndryshëm të shërbimit psiko-social kanë shprehur problematika dhe sugjerime që kanë të bëjnë me përditshmërinë e tyre.

Ministrja Kushi shprehet se pandemia ia ka rritur përgjegjësitë dhe ka shtuar dinamikën e punës së tyre.

“Në këtë aspekt, ofrova gjithë gatishmërinë time maksimale për të bashkërenduar përpjekjet tona të përbashkëta në adresimin e çështjeve që kanë në fokus mirëqenien e komunitetit shkollor”, tha Kushi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.