Rindërtimi/ Fondacioni shqiptar “Rrënjë Shqiptare” do ndërtojë 44 shtëpi individuale në Ishëm, Durrës

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Qeveria shqiptare nënshkroi sot marrëveshjen me fondacionin shqiptar “Rrënjë Shqiptare” për ndërtimin e 44 shtëpive individuale në njësinë administrative Ishëm, në Durrës.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe përfaqësuesi i fondacionit Marko Kepi.

“Një tjetër mbështetje e rëndësishme në favor të programit të rindërtimit të banesave. Projekti me vlerë 1.5 milionë dollarë amerikanë, do të angazhohet në ndërtimin e 44 banesave individuale në Ishëm, Durrës”, tha ministri Ahmetaj.

Ministri informoi se bashkia Durrës së bashku me Agjencinë e Planifikimit të Territorit do të asistojë donatorin në hartimin e planit vendor, si dhe ka vendosur në dispozicion të tij sipërfaqen prej 27 500 m2 të shpallur zonë e re për zhvillim të detyruar.

Ndërkohë përfaqësuesi i fondacionit “Rrënjë shqiptare” Marko Kepi e vlerësoi mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, ç’ka do ti lehtësojë fondacionit një sërë procedurash dhe do të bënin që puna të ecë përpara dhe më shumë shtëpi të mund të ndërtoheshin për të prekurit nga tërmeti.

“Ne si organizatë patriotike në Nju-Jork duam të ndihmojmë vëllezërit këtu në Shqipëri. Jemi të gëzuar që disa nga këto familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit do të mund të kenë një shtëpi të re këtu në vendin e tyre”, tha Kepi.

Ministri informoi më tej se procesi i rindërtimit po ecën me shpejtësi. Sipas tij, qeveria është në një fazë të avancuar në programin e shtëpive individuale. Ndërkohë, vuri në dukje ai, janë aprovuar 96 milionë dollarë grante për familjet të cilat kanë patur dëmtime të lehta ose mesatare të shtëpive të tyre.

Sa i përket shkollave, ministri bëri të ditur se një numër shumë i madh shkollash të financuara me burime të brendshme do të jenë gati më 26 nëntor për të pritur nxënësit dhe mësuesit.

Lidhur me pallatet, ministri informoi se procesi është në fazën e fundit të prokurimit. Në Durrës, tha ai, nis të hënën ndërtimi i dy pallateve të mëdha, ndërsa në zonën e “5 Majit” nis hapja e themeleve të reja brenda javës që vjen.

Në Laç, theksoi Ahmetaj, ka nisur procesi i ndërtimit të 524 banesave nga qeveria turke.

Ndërsa me fondin e Zhvillimit të Abu Dhabit, tha Ahmetaj, është firmosur marrëveshja në Këshillin e Ministrave prej 75 milionë dollarësh për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në qytetin e Durrësit.

Ministri bëri të ditur se edhe me donatorët e tjerë procesi po vijon me ritme të larta. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.