Rezoluta për përkufizimin e antisemitizmit/ Ambasada e SHBA-së: Ky akt vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi sot se miratimi i Rezolutës për Antisemitizmin është akt që vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes.

Në një deklaratë, Ambasada e SHBA-së thekson se “sot, parlamenti miratoi përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin. Ky akt vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes. Na kujton gjithashtu historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku”.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që e quajnë Shqipërinë një partnere dhe aleate ndërsa vazhdojnë angazhimin e tyre për dinjitetin e çdo individi”, shprehet Ambasada e SHBA-së.

Gjithashtu kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca përshëndeti sot miratimin nga Kuvendi të rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.

“Ne mirëpresim rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti i Shqipërisë i cili miraton përkufizimin e IHRA të Antisemitizmit. Bashkimi Europian është i vendosur të luftojë të gjitha format e antisemitizmit. Për të mbështetur veprimet kombëtare, BE do të vendosë një Strategji gjithëpërfshirëse mbi antisemitizmin në 2021”, tha Soreca.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetja Blerina Gjylameti.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.