Rama i dorëzon çelësat familjes së madhe Qordja/ Sot ata hynë në 4 shtëpi të reja

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Në natën e 26 nëntorit, familja e madhe Qordja humbi shtëpinë e vjetër ku jetonin së bashku 4 kurorë dhe sot ata hynë në 4 shtëpi të reja që u ndërtuan në truallin e tyre, ku me kopshtet e vogla përreth është krijuar një oaz fantastik nga rrënojat e 11 muajve më parë.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u dorëzuan familjarëve çelësat e shtëpive.

“Ndërsa qentë le të vazhdojnë të lehin edhe më fort, që edhe më shpejt karvani të shkojë përpara”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërsa përfitues i njërës prej shtëpive ishte kreu i Partisë Demokratike të Farkës.

“Ju nuk besonit se do të ndërtonim shtëpitë. Vuajtët këtë periudhë, por tani po gëzoni shtëpitë e reja”, iu drejtua Rama familjarit.

Rama njëkohësisht dorëzoi edhe certifikatat e pronës për banesat.

“Duam t’u falenderojmë, jam shumë i kënaqur dhe ne të gjithë jemi të kënaqur për punën që është arritur”, tha Çimi, kreu i PD-së në Farkë./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.