PD dhe e tërë politika e vjetër ka qenë e mbledhur në formë malesh me plehra

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me inceneratorët, duke theksuar se “PD dhe e tërë politika e vjetër ka qenë e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës, Elbasanit, Fierit e kudo”.

Rama tha se “falë impianteve moderne që do të vazhdojmë të ndërtojmë do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithfarë”.

“Po Lulzim ka qenë PD dhe e tërë politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës, Elbasanit, Fierit e kudo, ku falë impianteve moderne që do të vazhdojmë të ndërtojmë, do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithëfarë”, tha Rama.

Kryeministri tha se sa më shumë Lulzim Basha sulmon impiantet moderne të mbetjeve, aq më shumë tregon se nuk ndahet dot nga malet me plehra të Sali Hajdinit.

“Ah Lul, të ka mbet ora tek Gropa e Hajdin Saliut, po habitem si s’e kupton që sa më shumë sulmon impiantet moderne të mbetjeve, aq më shumë tregon se nuk ndahesh dot nga malet me plehra të Sali Hajdinit! Ta qaj hallin, je mes gropës së tij dhe grepit të Likes për tiganin e Monës”, tha Rama.

Në një konferencë për shtyp më herët, Basha kërkoi që SPAK të hetojë për inceneratorët. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.