NATO ndihmon me 60 respiratorë/ Nga sot në vijën e zjarrit për të mbrojtur e shpëtuar jetë

TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Falë bujarisë së SHBA-së dhe nëpërmjet NATO-s, Shqipëria pajiset me plus 60 respiratorë të rinj që i shtohen fuqisë së instaluar për të luftuar COVID-19 në Spitalin Infektiv, atë Shefqet Ndroqi dhe në spitalet e reja COVID 3 dhe 4 deri në daljen nga ky dimër sfidues”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa vlerësoi se “miqtë e mirë duken në ditë të vështira”.

“Ashtu si 20 vite më parë kur lindi kjo marrëdhënie mes Shqipërisë dhe NATO-s në një moment tejet dramatik për botën e cila përballej me një përshkallëzim të së keqes në trupin e saj si pasojë e terrorizimit, ne sot ndjehemi jashtëzakonisht mirë jo vetëm në aspektin ushtarak, por mbi të gjitha në aspektin human, që jemi pjesë e këtij klubi fantastik vendesh që besojnë tek vlerat e lirisë, parimet e demokracisë dhe solidariteti”, tha Rama.

Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-së, që si gjithnjë dhe në këtë rast janë treguar të vëmendshme ndaj Shqipërisë. “Dua ta falënderoj në mungesë ambasadoren e SHBA-së, Kim, e cila ma dha e para lajmin për këtë mbështetje kaq të çmuar dhe kaq të nevojshme në këtë fazë përballjeje me një armik kaq të pamëshirshëm që i ka rënë ndesh jo vetëm shëndetit, por edhe mënyrës sonë të të jetuarit”, tha Rama.

Rama bëri një retrospektivë të disa momenteve kur Shqipëria ka prekur nga afër mbështetjen me bazë materiale që duhet në përballimin e kësaj sfide. “Por ndryshe nga momentet e tjera në të shkuarën, nuk është thjesht vetëm Shqipëria që ka nevojë për ndihmë, por të gjitha vendet. Vetë SHBA kaluan një moment të befasishëm kur kishin nevojë për ndihmë. Kishte momente kur SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe plot fuqi të mëdha kishin mungesë maskash mbrojtëse, respiratorësh, medikamentesh adapte për të përballuar të keqen në trupin e qindra-mijëra njerëzve që krijuan një fluks të paparë në sistemet shëndetësore”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “pavarësisht madhësisë dhe fuqisë së vendeve, të gjitha vendet gjenden në një anije dhe duhet të përballin dallgë vështirësish që godasin me të njëjtin intensitet kudo dhe ndërkohë solidariteti nuk ka munguar dhe as vëmendja për vende më të vogla.

“60 respiratorët për të përballuar këtë dimër që do të jetë i vështirë sipas parashikimeve të ekspertëve, janë kuptimplotë jo vetëm në aspektin e gjestit, por edhe në aspektin e ndihmës konkrete në fuqizimin e sistemit. Nga sot edhe këta respiratorë do të jenë në vijën e zjarrit për të mbrojtur e shpëtuar jetë. Ndërkohë që ne, si dhe vendet e tjera, jemi të angazhuar që të mos lejojmë që kjo krizë shëndetësore e humanitare të shndërrohet në krizë sigurie. Kemi parë çfarë ndodh në disa vende sot, ku faktikisht kriza globale e shkaktuar nga COVID është vetëm një nga fytyrat e krizës më të thellë të sigurisë. Kompleksiteti i kësaj beteje ka pjesë përbërëse mbrojtjen e sigurisë, të demokracisë e paqes në tërësi dhe në veçanti për secilin vend”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “sa shumë po bëhet nga Forcat e Armatosura sot në të dyja planet, në mbështetjen e domosdoshme për bluzat e bardha, për sistemin e mbrojtjes së shëndetit dhe në pjesëmarrjen e domosdoshme në operacione të rëndësishme jashtë vendit, kudo ku Aleanca është përfshirë”.

“Ky është një tjetër moment i jetës sonë të përbashkët kur vlera dhe fuqia e FA-së del në pah me dinjitet dhe efikasitet të plotë. Këtu pas meje është pasqyra e një transformimi që vazhdon dhe është shprehja kuptimplotë e faktit se sot ndryshe nga dje, Shqipëria ka në dispozicion një trup të Emergjencave Civile të standardeve europiane, ku jo vetëm janë plotësuar nevojat materiale e logjistike, por ku sot shërben një trupë e cila është në lartësinë e imazhit, frymës, profesionalizmit të FA-së, si të tërë”, tha Rama.

Rama tha se “nuk e ka ditur dhe as menduar më parë, reputacionin e jashtëzakonshëm që gëzojnë FA në gjirin e NATO-s për nga niveli i tyre profesional”.

“Nuk e kam ditur dhe menduar që në rreshtin e gjatë të ushtrive shumë më të mëdha me eksperiencë të sofistikuar, njerëzit tanë vlerësohen si ekselentë në të gjitha nivelet. Nuk e kam ditur që në stërvitje apo simulime të bëra nga NATO, skuadrat tona mund të arrijnë deri në vendet e nderit në gara të jashtëzakonshme vështirësish ekstreme, siç ndodhi jo shumë kohë më parë. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur dëgjoj nga autoritetet më të larta të NATO-s apo gjeneralë me hije të rëndë në takime që i sjell rasti, fjalë admiruese për FA”, tha Rama.

Natyrisht, vijoi ai, “kjo rritje e profesionalizmit nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e aleatëve tanë në rritjen e kapaciteteve morale dhe profesionale të njerëzve tanë. Por pa diskutim kjo nuk do ishte e mundur nëse drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë nuk do të ishin në lartësinë e detyrës”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.