Monika Muça, shembull motivues për të rinjtë që dëshirojnë të demonstrojnë potencialin e tyre në administratën shtetërore

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Në rrugën pa kthim drejt rienergjizimit të administratës publike, përmes kapaciteteve të reja njerëzore dhe intelektuale, që i bashkohen trupës së shërbëtorëve publikë me meritë dhe aftësi, Monika Muça, studentja ekselente e drejtësisë, është një tjetër shembull motivues për të rinjtë që dëshirojnë të demonstrojnë potencialin e tyre në administratën shtetërore.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot historinë e Monikës e cila pasi përfundoi studimet e nivelit master në të Drejtën Civile, aplikoi në thirrjen e dytë të shpallur në platformën e punësimit të ekselentëve http://punetembare.gov.al, dhe fitoi vendin e punës si specialiste e burimeve njerëzore në drejtorinë e përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror.

“Kur pashë që miqtë e mi kishin fituar pozicione shumë të mira në administratën publike dhe më thonin që është një procedurë shumë transparente, mendova të aplikoj dhe vërtet me rezultoi ashtu”, u shpreh Muça.

Me arritjet e mia në shkollë dhe me dosjen e kompletuar, u shpreh Monika, arrita të kem një pozicion pune në administratën publike.

Monika është njohur në vitin 2019 me mundësinë që qeveria shqiptare u dha studentëve të ekselencës.

Ajo aplikoi në thirrjen e dytë në shtator të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2019 ajo është futur në proceset e rekrutimit organizuar nga departamenti i administratës publike.

Përmes kësaj platforme, 602 të rinj dhe të reja ekselente, janë bërë pjesë e administratës publike, e cila sot, falë edhe korrektesës dhe integritetit të tyre, është kthyer në bazën e fortë dhe të qëndrueshme të shtetit modern që i përgjigjet në kohë nevojave të qytetarëve. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.