Kim: Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se, “Skavica, nëse përfundohet, do të jetë kontrata më e madhe e SHBA në Shqipëri”.

“Dy javë më parë, NënSekretari i Shtetit Keith Krach ishte këtu për të nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi Ekonomik, historik. Është hera e parë që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria e kanë bërë këtë dhe jo vetëm kaq, por në të njëjtën sallë, Bechtel nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për të ecur përpara me ndërtimin e një hidrocentrali gjigand Skavica. Nëse përfundohet, do të jetë kontrata më e madhe e SHBA në Shqipëri”, tha Kim gjatë një interviste televizive.

Për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Kim u shpreh se, “deklarata që nxori Ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mohojmë kompetencën e parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Edhe opinioni im është shumë i qartë për këtë. Ajo që ndodhi përtej 5 qershorit shkon përtej 5 qershorit, por nuk e shoh si shkelje të 5 qershorit”.

Ajo tha se, “mendoj se është shumë zhgënjyese që pjesa e dytë e reformës zgjedhore nuk u arrit në të njëjtën mënyrë, sepse pjesa e parë, 5 qershori u bë mirë. Dhe duhet të ishte përsëritur. Mendoj se është diçka e pafat që opozita kryesore nuk ishte e pranishme në parlament dhe mendoj se kjo nënvizon përgjegjësinë e cilitdo për të mbetur i angazhuar”.

Duke u ndalur në Reformën në Drejtësi, Kim tha se, nuk mendon se ka ngecur.

“Katër vjet e katër muaj është një kohë e gjatë, ama më duhet të them që është bërë përparim. Katër vjet e katër muaj më parë, u hartuan ligje me mbështetje unanime nga të gjitha partitë, apo jo? Nga ajo kohë, gjykatat janë ngritur, gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë në punë, gjyqtarë dhe prokurorë i janë nënshtruar Vetingut. Në muajin e fundit, në javët e fundit, edhe Gjykata Kushtetuese po ecën përpara. Tani ka kandidatë për dy vendet bosh. Ndaj mendoj se është karakterizim i gabuar të thuash se kemi ngecur. Mendoj se ka njerëz që duan të besojnë se kemi ngecur, që duan të na bëjnë të ngecim, por nuk do të thotë se kemi ngecur”, u shpreh Kim.

Ajo tha se, “është po ashtu e vërtetë se jemi në një çast kritik. Ata që janë kundër reformës në drejtësi po intensifikojnë përpjekjet dhe mendoj se ne që e mbështesim reformën, dhe këtu përfshij Shtetet e Bashkuara, miqtë tuaj europianë, popullin shqiptar, është koha të këmbëngulim dhe të shtyjmë fort përpara”.

Mbi procesin e Vetingut Kim tha se, “numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që u gjetën si të korruptuar ishte shumë më i lartë në përqindje se sa ishte parashikuar. Deri tani, mbi 60% janë larguar nga sistemi. Mendoj se Shkolla e Magjistraturës po punon fort për të prodhuar më shumë gjyqtarë dhe prokurorë. Mendoj po ashtu se gjyqtarët dhe prokurorët që e kanë kaluar Vetingun tashmë po dalin përpara për të bërë më shumë ndaj, mendoj se po ecim përpara. Edhe një herë, nuk është e lehtë, nuk është e shpejtë, nuk është e përsosur, por po ecim përpara”.

Duke u ndaluar tek hetimet e SPAK Kim theksoi se, “për tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kjo kohë po i afrohet fundit. Do të thotë që në muajt e fundit, kemi parë SPAK të deklarojë aktpadi në raste të nivelit të lartë”.

Mbi rezultate konkrete të këtyre hetimeve, nga SPAK, Kim tha se, “mendoj që njerëzit kanë të drejtë të jenë të frustruar. Më herët theksuat ‘katër vjet e katër muaj’ është një kohë e gjatë, por në javët dhe muajt e fundit kemi parë çështje që janë ngritur, që po ndiqen penalisht, dhe mendoj se do të shohim disa rezultate”.

Ambasadorja Kim tha se, “unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë. Ka njerëz që do të jenë gjithmonë pesimistë për këtë projekt. Pesimizmi është i lehtë, por unë shoh faktet dhe ajo që shoh është që kemi gjëra si Byroja Kombëtare e Hetimit e cila nuk ekzistonte dhe tani ekziston”.

Duke u ndalur tek Byroja Kombëtare e Hetimit Kim tha se jo thjesht mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.

“Për BKH kemi ofruar mbështetje shumë të forte në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjutera, duke u siguruar që të kenë pajisjet që iu duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë”, përfundoi Kim.

Transkripti i publikuar nga Opinioni.

/a.a/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.