Kënd i ri lojërash tek Njësia 7, Veliaj prezanton projektet e reja transformuese

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Njësia 7 ishte ndalesa e radhës e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në turin e nisur në të 27 njësitë administrative, ku përuroi këndin e ri të lojërave në Rr. “Frosina Plaku”. Fëmijëve dhe të moshuarve të zonës iu rikthye një tjetër hapësirë publike për lojëra dhe çlodhje. Veliaj u bëri thirrje banorëve që të zgjedhin administratorët e pallateve dhe të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”.

Ai theksoi se bashkia do të vijojë me projektin e saj të ndërtimit të një këndi të ri lojërash çdo muaj. “Çdo muaj kemi nga një kënd të ri dhe për të gjithë ata që bëjnë beteja kundër fëmijëve, me patllake në brez, besoj se duhet të reflektojnë se përtej PD-së dhe PS-së, jemi të gjithë familjarë, qytetarë. Fëmijët që luajnë këtu mbrapa janë të të gjitha prejardhjeve dhe besoj se e ardhmja e qytetit është në duart e atyre që nuk paragjykojnë njerëzit nga bindjet, por besojnë te puna, talenti dhe merita”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i njohu banorët e Njësisë 7 me një sërë investimesh të rëndësishme që do të kryhen në zonën e tyre. “Do të vazhdojmë transformimin tek ish Fusha e Aviacionit, po ashtu edhe me disa kënde të tjera aty, ndërkohë do të ecim shumë shpejt me projektin e Astirit. E di që trafiku është shqetësim për të gjithë banorët, do e kishim mbaruar nëse nuk do ishim bllokuar tre vjet, megjithatë nuk dua ta kthejmë kokën mbrapa sepse njerëzit e dinë se kush janë ata që punojnë dhe kush janë ata që bllokojnë. Do ecim shpejt dhe do hapim disa nga galeritë kryesore që krijojnë trafikun aty”, tha Veliaj.

Zgjatimi i Lanës do të vazhdojë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar. Ai siguroi se asnjë nga ata që do të preken nga këto projekte të nevojshme infrastrukturore për qytetin, nuk do të mbetet jashtë. “Banorët që janë skeptikë duhet të shohin si ka shkuar Lana dhe Bulevardi në të dyja anët, deri në Shkozë; sa u është rritur vlera pronës dhe sesi është transformuar realiteti urban në atë njësi, pra nga Materniteti i Ri deri në Shkozë. E njëjta gjë do ndodhë edhe për pjesën e Lanës që prek Njësinë 7 dhe Kasharin. Të gjithë ata që janë me letra pronësie do të shpronësohen; kush nuk i ka letrat, por ka nevojë për strehim dhe banon aty prej shumë vitesh, do të strehohen në pallatet që do të ndërtohen nga bashkia në terren publik. Zhvillimi i Astirit dhe i Lanës janë dy projekte jo vetëm strategjike për Njësinë 7, por për të gjithë Tiranën”, shtoi ai.

Teksa bëri thirrje për mospolitizim të projekteve infrastrukturore, Veliaj siguroi banorët edhe për dëmshpërblimet e tërmetit. Veliaj e quajti kriminale inkurajimin e qytetarëve, nga ana e përfaqësuesve të opozitës, që të jetojnë në banesat e shpallura të pabanueshme. “Dje i politizuan edhe shtëpitë në Kombinat. Si mund të ketë politikanë ose politikane kaq të papërgjegjshëm, që u thonë njerëzve mos ikni nga shtëpitë tuaja, kur inxhinieri ka firmosur se ato janë të pabanueshme. Jetojmë në Tiranë, çdo gjë bën vaki, por ne u shpjegojmë njerëzve se do të vazhdojnë ta marrin bonusin e qirasë deri ditën që do marrin çelësin e apartamentit të ri. Sigurisht, kur afron fushata, fillon dalldia kolektive e politikanëve që, sa kishin gjë në dorë s’bënë dot asgjë; ama, kur vjen fushata mundohen të provokojnë në çdo sentiment njerëzor. Me njerëzit duhet të flasësh me qetësi! Bonusi vazhdon derisa të marrësh apartamentin e ri, por mos e thëntë zoti të inkurajojmë njerëz të rrinë në shtëpi të dëmtuara, të cilat janë certifikuar nga inxhinieri si shtëpi jashtë përdorimit. T’u thuash njerëzve rrini në një pallat që mund të shembet, që unë të kap dy titra për lajmin e ditës është komplet e papërgjegjshme”, shtoi Veliaj.

Ai vizitoi edhe një familje që përfiton bonus qiraje, pasi banesa iu dëmtua nga tërmeti. Ndërkaq, Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim edhe me veteranë dhe ish-ushtarakë, ndërsa mbolli pemë me maturantë të shkollës “Arben Brozi”.

z.tosku/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.