Investimet për ujitjen dhe kullimin në bujqësi/ U dyfishua sipërfaqja e ujitshme e tokës

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Investimet për ujitjen dhe kullimin në bujqësi vitet e fundit kanë hyrë në trendin e rritjes së qëndrueshme duke dyfishuar sipërfaqen e ujitshme të tokës bujqësore në rreth 255 mijë hektarë.

Shifrat zyrtare tregojnë se në vitin 2020 investimet për ujitjen dhe kullimin në bujqësi arritën në 3,525 miliardë lekë, kundrejt 1,266 miliardë lekë që ishin në vitin 2012.

Në tetë vitet e fundit investimet në këtë sektor janë rritur me 188%.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi referuar statistikave shprehet se “investimet që ne kemi bërë për ujitje-kullimin janë si nata me ditën krahasuar me kohën kur qeveriste Partia Demokratike, e cila sot bërtet nga dëshpërimi se nuk është dot një alternativë më e mirë për shqiptarët”.

“Falë këtyre investimeve dyfishuam sipërfaqen e ujitshme të tokës bujqësore në rreth 255 mijë hektarë”, thekson Çuçi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.