Interesat e bonove të thesarit vijojnë të jenë të stabilizuara

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Interesat e bonove të thesarit vijojnë të jenë të stabilizuara. Në ankandin e bonove 12-mujore të zhvilluar këtë javë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 1.73%, nga 1.74% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 10.9 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur për financim prej 9 miliardë lekësh.

Yield-et e bonove me maturim 12-mujor patën një fazë të shkurtër rritjeje mes muajve mars dhe maj, të ndikuara nga efekti i shpërthimit të krizës dhe rritja e fortë e kërkesës së qeverisë për hua. Por, në gjysmën e dytë të majit yield-et nisën rënien, duke arritur në 1.63% në muajin gusht. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.