Integrimi në BE/ Cakaj takon Beaune: Franca vlerëson rezultatin e Shqipërisë me reformat

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Paris ku po zhvillon një vizitë zyrtare.

Cakaj zhvilloi sot një takim me Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane të Francës, Clément Beaune.

Të dy Ministrat diskutuan mbi punën e bërë prej Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në përfundimet e Këshillit të Marsit 2020, të cilat janë paraqitur hollësisht edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian.

“Mbetem shumë i inkurajuar nga vlerësimi pozitiv i Francës për rezultatet e reformave të deritanishme të Shqipërisë në rrugën europiane të saj”, u shpreh Cakaj.

Ndonëse ka ende shumë punë për të bërë, siç theksoi Cakaj, Franca do vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë në rrafshin dypalësh dhe në shërbim të integrimit europian.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.