Inceneratorët/ Hajdari: 30 vite nuk u bë asnjë ditë betejë për shqiptarët

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari reagoi sot nga foltorja e Kuvendit, lidhur me debatin për inceneratorët.

“Nga 2004 e deri sot, për çështjen e plehrave kanë treguar qartë se halli i tyre nuk ka qenë aspak mjedisi dhe shëndeti i shqiptarëve, por vetëm xhepi se ku shkojnë lekët që paguan mafia italiane për të groposur mbetje në këtë vend”, tha Hajdari.

Sipas saj, “kur janë në opozitë vishen me kostumin e luftëtarëve mjedisorë që luftojnë me mafian italiane, e sapo vijnë në pushtet shndërrohen në dashnorë të plehrave dhe ndajnë fitimet me mafian që deri dje e kishin gjasme demaskuar”.

“30 vite kjo lojë. 30 vite këta nuk kanë bërë asnjë ditë betejë për shqiptarët e Shqipërinë por vetëm për pasurinë e tyre personale. Prandaj këta janë sot njerëzit më të pasur në vend, e shqiptarëve u duhet një ligj për diasporën, sepse gjysma jeton jashtë e ata që jetojnë këtu mezi presin të ikin”, tha Hajdari.

Sipas saj, “edhe për çështjen e inceneratorëve, është i njëjti debat, e njëjta e vërtetë”. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.