Forcat e Armatosura në proces modernizimi/ Xhaçka: Po investohet në dije e arsim si kurrë më parë në 30 vite

TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Baza e Kuçovës është një projekt afatgjatë dhe po kaq afatgjatë është edhe transformimi që po ndodh sot në Forcat e Armatosura, ku po investohet te arsimi dhe dija si kurrë më parë në 30 vitet e fundit”.

Kështu u shpreh sot në Kuvend, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila foli mbi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga Programi i Investimeve i NATO-s për Sigurinë, vitet 2019-2022”.

Xhaçka theksoi se “ushtria shqiptare sot ka hedhur hapa të jashtëzakonshëm drejt modernizimit”.

Ajo theksoi se “si kurrë më parë, në 30 vitet e fundit po investohet te ata që mbajnë veshur uniformën”.

“Nuk dua të mohoj se ka ende shumë punë për të bërë për ta rindërtuar FA-në, por është e qartë tanimë  se Forcat e Armatosura janë në një proces reformimi dhe modernizimi që po krijon një monumentum të mirë”, tha ministrja Xhaçka.

Ajo veçoi po ashtu angazhimin e FA shqiptare, në misionet përkrah NATO-s. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.