Basha: Kontrata e inceneratorit të Fierit nuk ka çmim, SPAK të tregojë ku është me hetimet

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një konferencë shtypi me gazetarët se kontrata e inceneratorit të Fierit nuk përmban çmim. Basha apeloi kreun e SPAK-ut, Arben Krajën “t’u tregojë shqiptarëve se po u vidhet përditë buka e gojës”.

“A i keni nisur apo jo hetimet?! Pse nuk janë thirrur të dyshuarit kryesorë? Heshtja juaj ulërin në Shqipëri! Heshtja juaj inkurajon hajdutët e parave të shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Sipas tij, “ne nuk kemi prokurorë, ndonëse kemi juristët më të mirë në këtë parti”, duke deklaruar atë që e cilësoi “një tjetër fakt tronditës, të kontratës së inceneratorit të Fierit”.

“Do ta bëj fare të thjeshtë. Mendoni për një moment që po shkoni të blini një TV me këste. Ky është pak a shumë konstrukti për inceneratorin e Fierit, blerje me këste. Dhe ndodheni para disa zgjedhjeve. E do të keni kriteret tuaja, madhësinë, sa e re është si teknologji, aftësinë për t’u lidhur me shërbimet që ju doni edhe çmimin, kriter me rëndësi”, vijoi Basha.

“A mendoni për çmimin kur blini një televizor? Dhe në vlerësimin që do të bëni, çmimi zë vend të veçantë! Se mund të doni një shumë të bukur, po s’e blej dot se nuk e paguaj dot. Kështu funksionon edhe prokurorimi publik. Kur shteti niset të blej për qytetarët, kinse për qytetarët në këtë rast, sheh çmimin. Me Edi Ramën ka funksionuar çmimi më i lartë”, u shpreh Basha.

“Tani shikoni inceneratorin e Fierit: Kriteret për fituesin. Pa shikoni çfarë kanë harruar këtu?! Çmimin. Kjo është kontrata e Edi Ramës, kontrata me të cilën do të pushohej edhe punonjësi i firmës më të vogël. Kanë harruar çmimin! Sepse kontrata është kopsitur më përpara nga grupi i organizuar kriminale. Sepse janë hapur më herët kontot bankare, janë transferuar paratë nga Malta, në Qipro dhe në fund janë kujtuar për një kontratë”, përfundoi Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.