Baret dhe restorantet të respektojnë protokollet antiCOVID/ Humbja pas sjelljes përqeshëse ndaj rrezikut, do ishte katastrofike

TIRANË, 22 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lufta me armikun e padukshëm është një luftë tejet e vështirë në aspektin shëndetësor, ndaj i bëri apel gjithë qytetarëve që të mos e bëjnë atë edhe më të vështirë, por të respektojnë rregullat.

“Ju lutem, ju përgjërohem të gjithë atyre që nuk duan ta besojnë sa e vërtetë dhe e vështirë është kjo luftë dhe mbyten në teoritë e konspiracionit apo thashethemet, duke përqeshur rrezikun. Ju lutem të mos e vështirësojmë më tuje këtë luftë. Një thirrje për të gjithë ata që sot ushtrojnë aktivitetin e tyre në restorante dhe bare që të mos e përqeshin rrezikun, të mos e sfidojnë shtetin dhe të mos e konsiderojnë tolerancën tonë dhe mirëkuptimin tonë për vështirësitë e tyre si dobësi”, tha Rama.

Kryeministri bëri apel që të respektohen protokollet e përcaktuara për funksionimin e bareve dhe restoranteve. “Protokollet duhen respektuar. Nuk është e vështirë për ne të sulim Policinë e Shtetit për të vendosur rregull, por a është kjo ajo që duam. Të pyesin veten nëse duan me çdo kusht të rrezikojnë dhe të kontribuojnë për mbylljen e lokaleve e restoranteve edhe një herë tjetër dhe të marrin mbrapsht një goditje marramendëse financiare. Nuk është koha për të shfrytëzuar çdo m2 sipërfaqe në lokale pasi humbja që do të pasohet nga kjo sjellje përqeshëse ndaj rrezikut do ishte katastrofike”, tha Rama.

Rama kujtoi se sot në Gjermani, që është lokomotiva e Europës në dije, shkencë, ekonomi dhe demokraci nuk lejohet të ulesh në restorant me më shumë se 3 persona të tjerë, apo nuk të lejojnë të shërbesh në restorant pas orës 10 të darkës.

“Pse? Apo se është një lojë e Bill Gates për t’i vënë çipa çunave të Laçit apo djemve të Vlorës? Apo për të dëgjuar live këngët polifonike përmes çipit apo të bllokoj kordat e zërit të këngëtarëve të dasmave? Ju lutem të sillemi me përgjegjësi të madhe jo vetëm për shëndetin dhe shoqërinë por të mos bëhemi ne me duart tona, ata që mbyllim përsëri dyert e shtëpive, lokaleve, bizneseve, makinave dhe mbeten peng i përqeshjes së një rreziku që është real. Sot je mirë, nesër je me tub dhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, pasnesër s’je fare”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se falë Ministres së Shëndetësisë, një nënë që e ka harruar familjen, vajzat e saj dhe që qëndron në krye të detyrës ditë-natë dhe patjetër falë pastaj edhe të gjithë skuadrës së saj, sot bluzat e bardha nuk kanë hallet mbi hall të mungesës së mjeteve për të luftuar.

“Bluzat e bardha janë të mirëpajisura, janë të shpërblyera brenda mundësive tona më së miri, janë të mbështetura nga një sistem i tërë që është i fort sot dhe i gatshëm për të përballuar rritjen e numrave dhe shtrimeve, që është e pashmangshme. Fatkeqësi e madhe se si zëra që janë me mikrofon dhe amplifikohen për shkak të detyrës flasin për mungesë kapacitetesh në spitale, tregojnë një realitet të frikshëm që nuk ekziston sikur spitalet tona janë tejmbushur, ndërkohë që sot dy spitalet tona janë ende me kapacitete të lira që po shkojnë duke u zvogëluar. Por janë 2 struktura të tjera që presin në rast se do të kemi nevojë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se në rast se do të kemi nevojë janë të gatshme strukturat sipas qarqeve, jo vetëm godinat, shtretërit, respiratorët, medikamentet por dhe të tërë ata që duhet të marrin përsipër pozicionin në vijën e zjarrit”.

“Janë mjekë, infermierë që stërviten rregullisht për të qenë gati në rast se vjen thirrja për tu nisur në front. Por nëse ky mallkim do të kishte ardhur disa vite më parë kur as aspirina nuk kishte në spital, as çarçaf nuk kishte mjaftueshëm në spital, jo në intubim me fjalën e fundit të shkencës, pot as gërshërë të sterilizuara për operacion nuk kishte, nuk dua ta mendoj se çfarë do kishte ndodhur. E them këtë, sepse është shumë e rëndësishme ta nënvizoj me krenari që sot në Shqipëri askujt që ka nevojë për t’u trajtuar në spital dhe për t’u marrë në mbrojtje nga mjekët nuk i mungon asnjë gjë nga ato që ka në spital një qytetar amerikan, francez, europian. Nga kushtet deri tek medikamentet. Nuk ka asnjë medikament sot në asnjë vend që i është shtuar listës së medikamenteve që përdoren, që nuk është këtu sot në spitalet COVID, në një sasi të garantuar. Ne e dimë që nuk jemi SHBA, Britania, Franca e Italia dhe kemi dobësitë tona, por ndaj vetëdija na ka angazhuar ditë e natë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.