Askujt nuk i është ndryshuar vendvotimi/ Lleshaj: Nuk mund ta gjeni alibinë për humbjen te lista e zgjedhësve

TIRANË,22 tetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi sot se “asnjë qytetari nuk i është ndryshuar dhe nuk do t’i ndryshohet në mënyrë arbitrare vendvotimi. Ju garantoj se mund të ketë lëvizur adresa e vendbanimit për arsye reale që lidhen me personat, ndërsa adresa e vendvotimit nuk ka ndryshuar”.

Në fjalën e tij në Kuvend, Lleshaj tha se “ju garantoj dhe ju sfidoj të shikoni listën zgjedhore që është publikuar. Nëse keni një rast për të denoncuar denonconi një rast. Hiqni dorë nga kjo retorikë dëshpëruese. Nuk mund ta gjeni alibinë për humbjen apo energjinë për fitoren tek lista e zgjedhjeve”.

“I kam dëgjuar me përbuzje aludimet e papërgjegjshme që kanë krijuar tym të panevojshëm në përpjekje për të krijuar alibitë e radhës nga ata që përgatiten për të humbur, kam deklaruar dhe po e them se asnjë ndryshim në listat e zgjedhjeve nuk mund të bëhet pa vullnetin e qytetarit”, – tha Lleshaj.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë në harkun e 3 dekadave kanë humbur adresat e tyre, janë shpërngulur në zona informale dhe kanë përfunduar dhe pa një adresë të saktë dhe shumë nuk kanë një adresë dhe për këtë po punohet për të përditësuar dhe për t’iu dhënë atyre një adresë.

“Shumë e kanë adresën vetëm Tiranë, adresa elektorale dhe e vendbanimit nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Në po rregullojmë këtë të fundit, sfidoj cilido që pretendon se ka ndryshime në adresat elektorale dhe shikoni që adresa e Qendrave të Votimit është ajo që ka qenë dhe nuk mund të ndryshojë pa kërkesën e qytetarit dhe pa paraqitur dokumente. Merrni një emër me mbiemër dhe hajde ta verifikojmë online në sy të Shqipërisë dhe ta shikojmë”, – theksoi Lleshaj.

Ministri Lleshaj duke iu drejtuar opozitës parlamentare tha se “ju ende nuk e dini që ka dalë lista e zgjedhjeve, të gjithë shqiptarët e dinë që ka dalë lista e zgjedhjeve, të gjithë ata që dinë shkrime këndim mund të shkojnë e të verifikojnë emrin në listën e tyre. Ata që mund të futen në sistem mund të logojnë tek e-Albania dhe të shikojnë ku e kanë vendin në listën e zgjedhësve”.

Duke folur për respektimin e masave në luftën kundër COVID-19, Lleshaj tha se “jemi në një fazë shumë të agravuar të pandemisë në vend, e cila kërkon prej çdo qytetari të përgjegjshëm masa dhe përgjegjesi, aq më tepër prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. E gjithë bota po angazhohet në këtë fushatë, të gjithë qytetarëve në mbarë botën po u kërkohet respektimi i masave për kufizimin e përhapjes së pandemisë dhe besoj që edhe deputetët e Shqipërisë duhet të japin një model, që të mbajnë maskat e të mos ballafaqohemi me policinë në këtë rast”.

“Nuk shkon që një deputet të konfrontohet me policinë për respektimin e disa masave elementare që po i mbajnë nxënësit, fëmijët, nëpër shkollat e gjithë vendit”, – tha Lleshaj. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.