Viti i ri akademik/ Publikohet rregullorja për masat antiCovid në Universitetin e Tiranës

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Universiteti i Tiranës ka publikuar projektrregulloren e brendshme për fillimin e vitit të ri akademik më 2 nëntor, në kuadër të mbrojtjes nga virusi COVID-19.

Kjo rregullore përcakton rregullat, procedurat dhe mekanizmat për mbrojtjen nga infeksioni i COVID-19 dhe për sigurimin e funksionimit normal të Universitetit të Tiranës në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19.

Gjithashtu, rregullorja përcakton masat që duhet të zbatohen në të gjitha njësitë përbërëse nga personeli akademik, ndihmësakademik, administrativ dhe studentët, për garantimin e mospërhapjes së infeksionit të virusit COVID-19.

Mbajtja e maskave nga studentët dhe personeli në mjediset e brendshme dhe të jashtme të njësive si auditorë, laboratorë, bibliotekë, zyra, korridore, oborre rrethues, është e detyrueshme.

Rregullorja bën të ditur se gjatë procesit mësimor, studentët dhe personeli akademik qëndrojnë në auditor, laborator, bibliotekë duke respektuar distancimin të paktën 1.5 – 2 m.

Rregullorja po ashtu nuk lejon konsumimin e ushqimeve në auditor, laborator, bibliotekë, korridore si dhe lëvizja brenda ambienteve, përfshirë korridoret bëhet duke respektuar distancën të paktën 1.5 – 2 m nga njëri-tjetri.

Por si do të funksionojë hyrja dhe dalje e studentëve në ambientet e Universitetit të Tiranës?

Projekt rregullorja thotë se studentët, personeli akademik, ndihmësakademik dhe administrativ hyjnë në ambientet e njësisë përbërëse vetëm nga hyrja qendrore. Studentët, personeli akademik, ndihmësakademik dhe administrativ hyjnë në godinë sipas orareve të përcaktuara dhe të publikuara më parë.

Orari për hyrjen e studentëve rregullohet sipas një grafiku, hartuar nga administrata e njësisë në bashkëpunim me organet drejtuese të njësisë përbërëse. Studentët paraqiten në mësim duke respektuar me përpikmëri orarin e komunikuar nga struktura përkatëse. Në hyrjen qendrore të njësisë përbërëse, personi përgjegjës që monitoron hyrjen.

Studentët hyjnë në godinë, pasi janë vendosur në radhë një nga një, me largësi të paktën 1.5 deri 2 m, duke u shmangur hyrje-daljet e përsëritura. Dalja nga mjediset e njësisë do të bëhet sipas rregullave, duke ruajtur distancimin fizik, nën mbikëqyrjen e personave përgjegjës të institucionit. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.