Talenti shqiptar/ Jehona Coka, futbollistja kuqezi që dallon në shkollë dhe në fushë

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ -Jehona Coka deri në moshën 13-vjeçare luante futboll me djemtë dhe vajzat e lagjes në Kukës, derisa në televizor pa një nga futbollistet tona të kombëtares, Cyme Lulaj, të cilën e kontaktoi dhe i tregoi mbi pasionin e saj, futbollin. Që aty nisi rrugëtimi i saj i bukur me botën e futbollit, e që duket se do të jetë një histori suksesi.

Në intervistën e saj për fshf.org, Coka tregon vështirësitë e jetesës në Tiranë pa prindërit dhe marrëdhënien e shkëlqyer me shkollën. Synim ka kombëtaren A dhe të luajë jashtë Shqipërisë teksa përpiqet që të ndjekë rrugën e idhullit të saj amerikan, Alex Morgan.

“Njerëzit që më njohin mirë thonë se unë kam lindur me topin nën këmbë, për shkak se kam filluar të luaj futboll që kur isha 5 vjeçe. Normalisht, nuk kam qenë pjesë as e ndonjë ekipi, as në lagje, por luaja në shtëpi me top, ashtu siç dija unë, pa e ditur se futbolli do të kthehej në pasionin tim më të madh. Më pas, kur u rrita edhe pak, fillova të shihja edhe ndeshje me babin. Aty shikoja mënyrën se si futbollistët e mëdhenj luanin, si e triblonin topin, si i gjuanin goditjet e dënimit etj”, shprehet ajo.

“Kur isha 13 vjeçe, shoh në një emision televiziv, një personazh të njohur të botës së futbollit femëror shqiptar, Cyme Lulaj. Asokohe luaja thjesht futboll, pa qenë pjesë e asnjë ekipi dhe mendova ta kontaktoj. Fola me të dhe pas disa muajsh, ajo më bën ftesë që të isha pjesë e ekipit të Kinostudios. Familja sigurisht ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua, por Cymja ka besuar tek unë, duke më siguruar edhe një vend në klubin ku unë luaj edhe sot”, tregon Coka.

Momentin e parë kur mori ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi, ajo e përshkuan si, “emocionuese dhe e papritur, më dukej më shumë si ëndërr sesa diçka e vërtetë. 4 shkurti i këtij viti ka qenë një nga ditët e mia më të lumtura sepse kjo më jep shpresë për të ardhmen time në këtë rrugëtim që kam nisur. Nuk është pak të jesh pjesë e kombëtares”.

Momentin më të lumtur në karrierë deri tani, ajo cilëson, “në turneun që u zhvillua në Shqipëri në muajin shkurt, unë shënova kundër Gjeorgjisë një gol, të cilin ia dedikova tim vëllai, që kisha dy vite pa e parë. Pa diskutim, ky ka qenë momenti im më i lumtur, për të cilin ndjehem mjaft krenare”.

E pyetur se cila ka qenë sakrifica më e madhe që ka bërë për futbolli ajo thotë se, “sakrifica më e madhe për mua është që jam detyruar të qëndroj larg prindërve të mi që në moshën 13 vjeçare. Ata jetojnë në Kukës ndërsa unë me vëllain tim jemi shpërngulur në Tiranë, kur unë mora ftesën për t’u bërë pjesë e ekipit të Kinostudios. Në fillim të sezonit të shkuar u dëmtova dhe kam qëndruar për gati një muaj në shtëpi, pa përkujdesjen e tyre. Kjo ka qenë shumë e vështirë për mua”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.