SPANJË – Turizmi miliarda euro humbje për shkak të pandemisë

MADRID, 21 tetor /ATSH-AFP/ – Sektori i turizmit në Spanjë, destinacioni i dytë më i madh në botë, pritet të pësojë një humbje prej më shumë se 100 miliardë eurosh në vitin 2020, për shkak të pandemisë Covid-19, një kthim në nivelin e aktivitetit të vitit 1995, njoftoi sot organizata e punëdhënësve Exceltur.

“Nëse ky parashikim vërtetohet deri në fund të dhjetorit, ne do të jemi kthyer 25 vjet pas përsa i përket aktivitetit të gjeneruar nga turizmi, një skenar ky dramatik”, tha José Luis Zoreda, zëvendëspresident ekzekutiv i organizatës, gjatë të një konference për shtyp.

Exceltur ka rishikuar sërish parashikimin e tij për vitin, për shkak të kufizimeve të reja të vendosura javët e fundit në Spanjë për të luftuar valën e dytë të pandemisë, e cila përfshin një mbyllje të pjesshme të Madridit dhe disa qyteteve të mëdha, si edhe mbylljen për dy javë të lokaleve dhe restoranteve në Katalonjë.

Organizata vlerëson se këto masa të reja do të ndikojnë me gati 7,5 miliardë euro shtesë, për një humbje totale prej 106 miliardë eurosh deri në fund të vitit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.