Soreca: Kushtetuesja domosdoshmëri për konferencën e parë ndërqeveritare me BE

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca gjatë një interviste televizive deklaroi se Gjykata Kushtetuese është kusht i domosdoshëm për konferencën e parë ndërqeveritare me BE.

“Shqipëria shumë afër përmbushjes së të gjitha kushteve. Mendoj se gjëja e rëndësishme që duhet të jetë dhe të bëhet super urgjente, është përmbushja e vendeve në Gjykatën Kushtetuese,” tha ambasadori Soreca.

“Të kemi dy kandidatë para fundit të vitit, është kusht i domosdoshëm që të bëhet konferenca e parë ndërqeveritare. Të gjithë, shtetet anëtare, ambasada po presin që kjo gjë të ndodhë kështu që është e qartë që është e nevojshme, e domosdoshme, urgjente që të punohet nga Këshilli Emërimit të Drejtësisë dhe të gjitha autoritetet e tjera që të bëjnë të pamundurën në mënyrë që të kapim trenin, në lidhje me Konferencën Ndërqeveritare,” u shpreh ambasadori Soreca.

Ambasadori tha se zyrtarët duhet t’i ndjekin me vepra deklaratat që kanë bërë dhe të bëjnë progres të shpejtë, ndërsa shtoi se vonesat janë të kuptueshme duke marrë parasysh të drejtën e ankimimit të të skualifikuarve.

Soreca theksoi se, “ka ende shanse që në rast se përmbushet kushti i Gjykatës Kushtetuese, shtetet anëtare mund të vlerësojnë përpjekjet që do të ketë bërë Shqipëria dhe përpjekje të cilat deri më tash janë njohur nga shtetet anëtare në shumë fusha të ndryshme dhe kështu i jepet mundësia Shqipërisë dhe që t’i bëhet thirrje Gjermanisë që të organizojë Konferencën”.

Duke u ndalur në Reformën Zgjedhore Soreca theksoi se, kushti i Komisionit Europian për zgjedhjet është përmbushur me marrëveshjen e 5 qershorit dhe kthimin e amendamenteve në ligjin për zgjedhjet.

“Ajo marrëveshje (5 qershorit) e cila më pas u përkthye në amendamente në 23 korrik në fakt ka përmbushur pra ato kushte që u panë dhe janë konstatuar nga përfundimet e Këshillit. Kjo për arsye se ishin rekomandimet të OSBE/ODIHR-it për administrimin zgjedhor, administratën zgjedhore. Kishin të bënin me administratën zgjedhore dhe kjo tashmë u arrit dhe është kryer me marrëveshjen e 5 qershorit”, tha Soreca.

Gjithashtu Soreca tha se këto ndryshime do të ishte mirë të kalonin me kompromis.

“Hapi tjetër që ka qenë vendimi i mazhorancës për të kaluar tek elementët e sistemit zgjedhor nuk ka të bëjë me vendimin që u mor në datën 5 qershor dhe ju e dini qëndrimin tonë mjaft mirë. Ne kemi shprehur keqardhjen tonë shpesh herë dhe në fakt, serish edhe nga Kukësi shpreha të njëjtën keqardhje kur thashë që do të kishim dashur qe kjo të ndodhte me të njëjtën frymë kompromisi dhe pozitive të Këshillit Politik. Megjithatë, thënë kjo, tashmë ka ndodhur dhe ajo që duhet të ndodhë tashmë është që të vihet në zbatim reforma zgjedhore e datës 5 qershor”, theksoi ai.

Duke u ndalur në Reformën në Drejtësi, Soreca tha se është më shumë se e domosdoshme.

“Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët janë larguar nga detyra është tejet i lartë për të imagjinuar apo për të thënë që nuk ka qenë e domosdoshme. A mund të përmirësohet? Po. A është e domosdoshme? Absolutisht që po?”, tha Soreca.

Ndërsa shtoi se përparësi e vërtetë është ngritja e institucioneve siç është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

Mbi fondet e akodruar nga BE për Shqipërinë Soreca tha janë dhënë tek një anëtare e familjes europiane.

“Në datën 17 shkurt Komisioni Europian ka bërë premtimin e 115 milionë euro në formë grantesh që do të thotë donacione, do të thotë zero kosto për qeverinë shqiptare. Shtetet anëtare i kanë shtuar grante të tjera dhe kredi për të arritur në 1/3 e një miliard eurove që ishte kjo shifër fantastike që u arrit në Konferencën e Donatorëve. Kjo është në fakt shfaqja më e madhe e solidaritetit nga ane BE-së. Që atëherë, të gjitha këto 115 milionë euro të KE-së, po flas në emër të Bashkimit Europian janë angazhuar tashmë”, tha Soreca.

“Më lejoni të them që angazhim se pari do të thotë që pas atij premtimi që u bë dhe pavarësisht pandemisë dhe krizës së COVID-19, ato miliona janë riangazhuar për Shqipërinë, pavarësisht situatës së krizës nga pandemia në Europë dhe janë nënshkruar kontrata. Kryeministri Rama ka nënshkruar të parën me presidentin e Komisionit Europian për milionat e parë të përdorur që do të thotë 50 milionët e parë të përdorur, që do të thotë në zbatim, që do të thotë të kontraktuar me PNUD në Shqipëri për rindërtimin e 22 shkollave të para. Kjo ka ndodhur në muajin prill. Puna e parë të bërë nga PNUD në Durrës dhe Krujë dhe më anën e saj do të mbulohen 22 shkolla që do të përfundojnë deri në fund të vitit. Ndërkohë që do të kemi 60 milionë të tjerë që kontraktohen me PNUD në pjesën e dytë të projektit BE për shkollat, që do të sjellin edhe 42 shkolla të tjera që do të bëhen realitet dhe do ti kthehen këtij koncepti të realizimit më pas. 40 milionët e tjerë janë kontraktuar tashmë, pra janë dhënë tashmë për kulturën”, theksoi Soreca.

“Më lejoni të them se çfarë do të thotë kontraktim. Ne nuk i transferojmë këto fonde në buxhetin e shtetit shqiptar, këto para transferohet tek agjencia e kombeve të bashkuara e cila po i vë këto dy programe në zbatim. Zbatimi i këtyre dy programeve po bëhet në bazë të parimit që ne do të rindërtojmë më mirë dhe do të rindërtojmë së bashku me komunitetin. Për secilën prej këtyre 22 shkollave BE dhe PNUD janë takuar me komunitete përkatëse, me bashkitë. Ne u kemi kërkuar atyre që të përzgjedhin ata shkollat. Pse po e bëjmë këtë? Jo vetëm sepse ne jemi donatori më i madh në Shqipëri por edhe po i japim këto donacione tek një anëtare e familjes tonë dhe duam që familja jonë të marrë pjesë në ato zgjedhje që bëhen për shkollën që duan ata, për shkollat që duan ato, për ato vende të trashëgimisë kulturore që duan ato që të përmirësohet. Prandaj me ministrinë e Rindërtimit dhe ministrinë e Kulturës ne po bashkëpunojmë për të përzgjedhur shkollat dhe më pas këto fonde vihen në zbatim të agjencisë përkatëse të OKB-së. 75 milionë euro janë BE për shkollat, 40 milionë BE për kulturën dhe janë fonde të kontraktuara tashmë”, u shpreh Soreca.

“Siç ju thashë në 22 komunitete duke përfshirë bashkinë e Thumanës, Krujës dhe Durrësit po përzgjedhin shkollat dhe 4 prej tyre pikërisht në këto moment po rindërtohen. Objektivi është që të përfundohen 65 shkollat deri në qershor 2021. Këto janë faktet”, përfundoi Soreca. /z. tosku/ /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.