Reja e madhe e dëshirave i shtohet Tiranës/ Instalacioni i skulptorit gjerman në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 21 tetor/ATSH – Bledi NASKA/ U bë disa ditë tashmë që në qendër të Tiranës kanë filluar punimet për një tjetër instalacion.
Në kuadër të Tetorit Gjerman një vepër artistike po ndërtohet në sheshin “Skënderbej” nga skulptori gjerman Martin Steiner.
Kjo është një tjetër re e cila është ndërtuar me qëllimin që njerëzit apo kalimtarët e ndryshëm që do të kalojnë pranë sheshit Skënderbej të kenë mundësi, përse jo që të shkruajnë qoftë dëshirat apo ëndrrat e tyre për sa i përket marrëdhënieve të tyre me Europën, pasi edhe qëllimi për të cilën është ndërtuar ky instalacion është pikërisht marrëdhënia që kanë apo duan të kenë shqiptarët me Europën.
Tematika e këtij instalacioni është pikërisht “Perspektiva Europiane”. Dedikimet e para kanë filluar të shkruhen e shumica e shkrimeve të deritanishme janë në gjuhën angleze, sikur njerëzit kanë dashur të përcjellin mesazhet e tyre drejt Europës.
Pasi qytetarët të shkruajnë dëshirat dhe ëndrrat e tyre që kanë të bëjnë me Europën, autori i kësaj vepre shprehet se do t’i marrë të gjitha këto shkrime dhe dedikime që t’i përdorë ato në përfundimin e veprës.
Autori gjithashtu shprehet se ndjehet shumë mirë që këtë vepër po e ndërton këtu, sepse i pëlqen shumë Shqipëria dhe sheshi ku po ndërton instalacionin. “Për mua është hera e dytë që ndodhem në Shqipëri pasi herën  e parë erdha në momentin ku vendosëm të përgatisnim terrenin për ndërtimin e veprës time. Ai shprehet i lumtur që ka patur edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës që i bëri të mundur të ketë akses dhe ta ndërtojë atë pikërisht në zemër të Tiranës. Meqenëse ndodhet në qendrën e kryeqytetit, ajo sigurisht që do të ketë një vëmendje të madhe dhe qëllimi është pikërisht ky”, tha autori.
Autori shprehet i kënaqur gjithashtu që ka pasur mbështetjen edhe të studentëve të Universitetit të Arteve dhe i vlerëson shumë ata për seriozitetin dhe përkushtimin.
“Unë kam punuar në shumë vende të botës shprehet autori dhe ajo që njerëzit i bën bashkë në të gjithë botën është se ata duan shumë paqen dhe të jenë të lumtur. Lexoj edhe mesazhe të veçanta që nuk i kam hasur më parë”, theksoi ai.
Gjithashtu ai vlerëson edhe Renë tjetër të ndërtuar më parë nga artisti japonez Fuxhimoto.
Ky instalacion është organizuar nga Ambasada gjermane në kuadër të Tetorit Gjerman, e cila premton edhe shumë aktivitete të tjera të bukura dhe me interes për publikun shqiptar.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.