Projektbuxheti 2021/ 144.6 miliardë lekë për skemën e Sigurimeve Shoqërore

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Në projektbuxhetin 2021 Qeveria ka rritur mbështetjen financiare për një sërë programesh sociale e shëndetësore adresuar kategorive të ndryshme që nga pensionistët, shtresat në nevojë e të papunët.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh sot se, “skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë ose 8.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.4 miliardë lekë”.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend ministrja theksoi se, “Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020”.

Sipas saj, shpenzime të tjera sociale që përfshijnë: Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë ose 1.3% e PBB. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB. Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.

“Ndërsa Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB”, – tha Denaj.  /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.