Procesi i rijetëzimit të Dimalit në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Projekti për rikthimin e qytetit antik të Dimalit, në një qendër arkeologjike të vizitueshme po synohet të kthehet realitet, me anë të një studimi të paraqitur nga arkeologë shqiptarë.

Kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore Dimal, Juliana Memaj ka thënë se shumë shpejt kjo do të kthehet në një zonë të re, pikë strategjike në hyrje të qarkut të Beratit. Krijimi i shtigjeve natyrore, vendosja e tabelave orientuese përgjatë rrugëve që të çojnë në qytetin e lashtë, krijimi i një qendre pritëse dhe ngritja e një muzeu të vogël didaktik, janë objektivat e para të këtij projekti.

“Bashkë me deputetin Fadil Nasufi dhe përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore morëm pjesë në prezantimin e studimit të fizibilitetit për rijetëzimin e Dimalit. Arkeologë të njohur dhe ekspert të fushës kanë zhvilluar një koncept që e shtrin zbatimin e tij në disa faza kohore, në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në qytetin antik të Dimalit. Qëllimi i këtij studimi është detajimi me faza i të gjithë procesit e rijetëzimit të Dimalit nga pastrimi i zonës, bërja e aksesueshme, riparimet, zbulimet e reja dhe deri te muzealizimi i gjetjeve. Projekti studimor i përgatitur nga ekspert të trashëgimisë kulturore synon mbi të gjitha, respektimin maksimal të punës shumëvjeçare të kryer nga studiuesit shqiptarë e të huaj si dhe të harmonizojë parashikimet ligjore”, tha Memaj.

Nga ana e tij, arkeologu, Ols Lafe u shpreh se “një muze didaktiv në mënyrë që të gjithë ato mësime që mund të realizohen në natyrë dhe t’u japim informacion brezave të ndryshëm në varësi të moshave dhe që janë të mundshëm për të udhëtuar në distanca kaq të shkurtra me rrugën e re që do të përfundojë, të gjithë pjesën e historisë së zonës të cilët nxënësit jetojnë, do të kishin mundësi ta bënin aty. Pra, le të themi që nuk ka nevojë të shkojnë më në Apoloni, edhe Apoloninë do ta shikojnë njëherë por mirë është që të fillojë e të kthehet në muze didaktit për grupet e moshave të ndryshme në shkolla”.

Dimali do të bëhet një prej destinacioneve turistike më të rëndësishme në qarkun e Beratit. Rreth 500 monumente kulture që ka ky qark në krye të tyre është padyshim Dimali.

Dimali, një nga qytetet më të fortifikuara të Ilirisë ka luajtur një rol të rëndësishëm ne luftërat iliro-romake. Simbol i qytetit ka qenë djaloshi Dimal, i cili ishte kampion i lojërave të organizuara. Vendbanimi antik i kalasë së Krotinës ndodhet në perëndim të malësisë së Shpiragut në komunën Cukalat, të rrethit të Beratit. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.