Miratohen shpronësimet për pronat që preken nga ndërtimi i terreneve sportive në shkollën “Kosova”

TIRANË, 21 tetor/ATSH/Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimet të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i terreneve sportive në shkollën “Kosova” në Tiranë.

Vendimi thotë se shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Tiranë dhe pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private do të shpronësohen në vlerë të plotë me vlerë 76 213 135 lekë.

Sipas vendimit, efektet e shpronësimit do të përballohen nga buxheti i shtetit.

“Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i terreneve sportive në shkollën “Kosova”, në Tiranë. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. Pronarët e pasurive të paluajtshme, prone private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë 76 213 135 lekë.Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 76 213 135 lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, të përballohen nga buxheti miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Vendimi sqaron se pronarët do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likudim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë bashkisë Tiranë.

“Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Jug, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë”, bëhet e ditur në vendim. z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.