Mbështetja ndaj Bujqësisë/ Teliti: 98% e fermerëve nuk e kanë parë dorën e ndihmës nga shteti

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Dorjan Teliti reagoi ndaj shifrave të mbështetjes në bujqësi, sektor ku buxheti për mbështetjen financiare është rritur me 175% në vitet 2013-2020, krahasuar me periudhën 2007- 2012.

Sipas Telitit, këto shifra janë orvajtje “për t’u hedhur hi syve fermerëve të falimentuar nga taksat e larta dhe mungesa e mbështetjes konkrete për to”.

“Në 2013 premtoi naftë pa akcizë për fermerët, por u shtoi edhe taksën e qarkullimit 24 lekë/litër. Vetëm nga kjo taksë absurde që s’ka asnjë lidhje me bujqësinë, fermerët kanë paguar rreth 100 milion euro në 7 vitet e qeverisjes së tij”, tha Teliti.

“U premtoi fermerëve 40 milion euro investime në vit, por nuk ka financuar as gjysmën e tyre. Ndërsa 70% e fondeve të akorduara janë dhuratë nga Bashkimi Europian”, tha ai.

“Bilanci i vërtetë në bujqësi është ky: rreth 100 milion euro taksë qarkullimi paguar nga fermerët në shtatë vite; 70% të fondeve për bujqësinë i përfitojnë 50-60 grosistë; 2% e fermerëve kanë marrë mbështetje, ndërsa 98% e tyre nuk e kanë parë dorën e ndihmës nga shteti; 30-40% më e lartë është kosto e prodhimit krahasuar me rajonin; 30% më i ulët është rendimenti i prodhimit bujqësor e blegtoral, krahasuar me rajonin; 2/3 e tokës nuk kanë akses në ujitje e kullim; vetëm 2,8% e fermave kanë traktorë apo mjete të mekanizuara”, theksoi Teliti. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.