TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Projektakti ishte miratuar më herët në parim dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të tij.
Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, Sokol Sheti, drejtor i Drejtorisë së Azilit dhe Fatmir Shehu, drejtor i Drejtorisë Juridike në MB, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve të komisionit.
Relatorja Elena Xhina parashtroi në nisje të mbledhjes se është punuar bashkë me iniciuesit e projekt-aktit lidhur me disa problematika që ishin në fushën e përgjegjësisë së komisionit dhe është arritur një dakordësi për ri-formulimin e neneve të veçanta.
Pas pyetjeve, sugjerimeve dhe komenteve të ndryshme, komisioni votoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”. /j.p/r.e/