LIBAN – Aoun i përkushtuar për caktimin e një kryeministri të ri

BEJRUT, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti libanez,  Michel Aoun tha se është i përkushtuar ndaj përgjegjësive të tij kushtetuese në lidhje me caktimin e një kryeministri të ri dhe formimin e një qeverie.

“Unë e kam thënë fjalën time dhe nuk do t’i shmangem asaj. Do të qëndroj i përkushtuar ndaj premtimit tim”, tha ai gjatë një fjalimi në televizion.

“Do të vazhdoj të mbaj përgjegjësitë e mia në caktimin dhe procesin e formimit dhe në çdo pozicion kushtetues”, shtoi presidenti.

Aoun u bëri thirrje deputetëve libanezë të kryejnë detyrat e tyre dhe të emërojnë një kryeministër të ri, i cili do të jetë në gjendje të trajtojë problemet ekonomike të vendit dhe të prezantojë reformat e nevojshme./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.