Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës/ Balluku: Jemi në fazën finale të elementeve për lidhjen e kontratës

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria është në fazën finale të elementëve për lidhjen e kontratës dhe nis menjëherë puna për ndërtimin e hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës.

“Ne kemi qenë një palë që kemi marrë pjesë në hartimin e kritereve si dhe në procedurë, por kemi qenë njëra nga palët, sepse pala tjetër ka qenë BERZH-i dhe kjo është e ditur. Sërish është një projekt i goditur pa fund nga politika. Dhe nuk po flas opozita apo jo, pasi të gjithë e kanë goditur këtë projekt”, tha Balluku e pyetur nga gazetarët për ecurinë e punimeve në këtë hekurudhë, gjatë një konference për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama me fokus tek infrastruktura.

Balluku theksoi se, “na është dashur të ndërhyjmë me kryeministrin, deri tek presidenti i BERZH, për të përshpejtuar procesin një vit më parë”.

“Projektet të cilat financohen nga BERZH kërkojnë që të marrin “no objection” përsa i përket konkurrentëve. Dhe flasim për projektin teknik. Ka ndërhyrë kryeministri pranë Presidentit dhe e kemi marrë “no objection” një vit më parë pjesën teknike. Ndërkohë që “no objection” për pjesën financiare është dhënë në 21 shtator”, detajoi ministrja.

“Tashmë ka fituar një kompani shumë e mirë italiane. Morën pjesë 14 kompani, pastaj në fazën finale ishin 6. U anatemuam që këtë kompani e njihnim, kishte lidhje me ne etj., etj. As nuk e njohim, as nuk e kemi parë kurrë. Pastaj kemi dalë me kontakte të jashtëzakonshme me kompanitë më të mëdha të botës, që i ndikokemi, i sillkemi vërdallë dhe i bëjmë çfarë të duam ne”, u shpreh Balluku.

“Është abuzuar pa fund me projektin e kësaj hekurudhe. Jemi në fazën finale të elementëve për lidhjen e kontratës dhe nis menjëherë puna”, tha Balluku.

Ndërkohë, tha ajo, ka nisur aplikimi pranë EBRD për fazën e dytë të kësaj hekurudhe që lidhet me stacionin e madh të Tiranës. “Ministria e Financave ka bërë kërkesën pranë BERZH dhe besojmë që do të  na aprovohet shumë shpejt”, tha Balluku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.