Doganat/ Sekuestrohen mbi 1 milion paketa cigaresh me origjinë nga India pa pullë fiskale

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli bëri të ditur se, strukturat e administratës doganore kanë sekuestruar një sasi prej më shumë se 1 milion paketa cigare në Portin e Durrësit.

“Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të ngarkesës, strukturat doganore ushtruan kontroll në dy kontejnerë të dyshuar, ku rezultoi ngarkesë prej 1.050.000 paketa cigare  me origjinë nga India”, tha Gazheli, ndërsa vlerësoi se kjo është dhe në sajë të një bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni në kohë reale me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, “e gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pullë fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër. Nëse ky mall do të hidhej në treg, vlera e paketave të duhanit të sekuestruar në të dy kontejnerët, sipas të dhënave të disponueshme, mbi të cilat janë llogaritur detyrimet doganore, kap shifrën e 168 mijë euro, (ndërsa detyrimi doganor që duhej të paguhej kap shifrën 164 milionë lekë)”.

Gazheli u shprehse, e gjithë sasia u sekuestrua dhe rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale, “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë” të parashikuar nga neni 172 dhe 190/3 të Kodit Penal.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore. Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës”, tha ai.

Në daljen e parë për median, në pozicionin e  Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, ai  përcjell një mesazh për të gjithë qytetarët dhe operatorët ekonomikë, “se strukturat e Administratës Doganore do vijojnë të jenë të angazhuara tërësisht në zbatimin e detyrave funksionale që kanë”.

“Objektivi ynë është tolerancë zero ndaj çdo akti të paligjshëm dhe trafiqeve. Çdo punonjës i Administratës doganore do të jetë në shërbim për të krijuar lehtësi  dhe një klime të favorshme  për sipërmarrjen, si dhe në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit”, deklaroi Gazheli. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.