Veliaj: Hapet fronti i fundit i Unazës së Madhe, gjumë të ëmbël udhëheqësve të bllokimit

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej mëngjesit të sotëm ka nisur prishjen e 20 objekteve në gjurmën e Unazës së Madhe, Loti i 3 në Astir.

Duke u shprehur mirënjohjen skuadrave të punës që në orët e para të mëngjesit, kryebashkiaku Veliaj ka theksuar se “pasi hëngri 3 koka deputetësh bllokues dhe 3 vite nga jeta e qytetit, më në fund nisi puna për Unazën e Madhe”.

“Lirohet më në fund edhe Loti 3. Pasi hëngri 3 koka deputetësh bllokues dhe 3 vite nga jeta e qytetit, hapet dhe fronti i fundit i Unazës së Madhe. Mirënjohje skuadrave që u mobilizuan që pa gdhirë dhe gjumë të ëmbël udhëheqësve të bllokimit që do shtriheshin te fadromat”, shprehet Veliaj.

Ndërkaq, në rrethrrotullimin kryesor të Unazës së Re, po punohet me ditë-natë, për të bërë të mundur që kjo vepër publike strategjike në hyrje të kryeqytetit të përfundojë sa më shpejt, për t’i dhënë Tiranës një “portë” dinjitoze të standardeve europiane dhe qytetarëve një aks lëvizjeje pa stres e shëmti si i derisotmi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.